HuffingtonPost: Presidentja e Kosovës akuzon ‘kasapin’ Putin për gjenocid në Ukrainë

Tabloidi britanik HuffingtonPost thotë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin, për gjenocid në Ukrainë, ndërsa tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është “shembull i mirë për mbarë botën”.

Osmani, ka akuzuar presidentin Putin për përpjekje për të kryer gjenocid në Ukrainë.

Në një intervistë për HuffPost, Osmani tha se deklaratat e presidentit rus për “denazifikimin” e Ukrainës, tregojnë synimet “për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht Ukrainën”.

Osmani ka thënë se konflikti në Ukrainë i ka sjellë kujtime personale të luftës në Kosovë në vitet e 90-ta, ku më shumë se 13,000 njerëz janë vrarë.

“Është absolutisht shkatërruese për të gjithë njerëzit në Kosovë t’i shohin këto imazhe të cilat na sjellin kujtime personale”, është shprehur ajo.

“Ajo që po shohim në Ukrainë është e ngjashme – gra që përdhunohen, civilë që vriten, fëmijë të vegjël po ashtu që po vriten, njerëz të detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre – është absolutisht e dhimbshme. Kanë kaluar 20 vjet, dhe kujtime tona janë ende të freskëta”, është shprehur presidentja Osmani.

Osmani ka thënë se beson se Ukraina është viktimë e një “regjimi gjenocidal brutal”, ngjashëm me atë që kishte ndodhur në Kosovën e fundviteve të 90-ta, që detyroi NATO-n të niste fushatën bombarduese për të vendosur pare.

“Qëllimi këtu është i qartë, qëllimi kryesor është gjenocidi. Unë besoj se ka prova që gjykatat ndërkombëtare të përdorin kundër Putinit dhe qeverisë ruse për krimet që po kryejnë në Ukrainë”, është shprehur Osmani për HP.

Ajo po ashtu tha se “Ka besim se këto krime nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”.

“Fatkeqësisht, në rastin e ish-Jugosllavisë, ato kanë mbetur pa u ndëshkuar”, tha presidentja e Kosovës.

Osmani, thotë se në vitet 1990, Sllobodan Millosheviqi kreu krime në Kosovë deri në atë masë sa u quajt me të drejtë ‘Kasapi i Ballkanit’, ndërsa Putini tash është ‘Kasapi i demokracisë’.

Ajo ka kujtuar se i vetmi vend në rajon që po mbështet Rusinë në këtë luftë, është Serbia.

Kategoritë
LajmeVendi