Hulusi Akar: Asnjë luftanije s’ka kaluar nëpër Ngushticën e Stambollit deri më tani

Shefi i mbrojtjes turke i bëri këto vlerësime pas Takimit të Grupit Konsultativ të Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ukrainën, mbajtur të martën në Bazën Ajrore “Ramstein” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në Gjermani.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, kujtoi se pas fillimit të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës më 24 shkurt, Turqia u ka komunikuar të gjitha palëve se luftanijet s’mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Stambollit në kuadër të Konventës së Montrësë mbi Regjimin e Ngushticave (1936).

“Asnjë kalim (anijesh luftarake) nuk është bërë në Ngushticën e Stambollit deri më tani”, theksoi ai.

Hulusi Akar i bëri këto vlerësime pas Takimit të Grupit Konsultativ të Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ukrainën, mbajtur të martën në Bazën Ajrore “Ramstein” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në Gjermani.

Pasi bëri me dije se Takimi Konsultativ i Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ukrainën u mbajt në praninë e përfaqësuesve të më shumë se 40 vendeve, Akar vuri në pah se kanë shkëmbyer mendime me disa emra e sidomos me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.

“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet në Ukrainë. Duhet t’i hapim rrugën diplomacisë me një qasje të përmbajtur. Kështu, ne konsiderojmë se zgjidhjet paqësore mund të gjenden më lehtë”, u shpreh ministri turk i Mbrojtjes.

Akar tërhoqi vëmendjen se në këtë takim patën mundësinë të theksojnë edhe një tjetër herë perspektivën e Turqisë në lidhje me ngjarjet.

“Presidenti ynë, Recep Tayyip Erdogan, ka realizuar biseda (telefonike) të shumta me Presidentin rus, Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në këto bisedime, presidenti ynë po bën përpjekje që t’i mbledhë ata rreth një tavoline për të arritur një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha shefi i mbrojtjes turke.

Ai potencoi se shpresat janë të mëdha pavarësisht disa vështirësive.

“Ndoshta do të jetë e mundur që të dy liderët të mblidhen së bashku në ditët në vijim falë propozimit të presidentit tonë. Si Turqi, ne vazhdojmë të kontribuojmë për çdo gjë që duhet bërë, përfshi këtu edhe ndërmjetësimin, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës humanitare që po degradon gjithnjë e më shumë, si dhe për të siguruar një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ministri Akar mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme