Humbin jetën 12 persona nga coronavirusi në Kosovë, konfirmohen 410 raste të reja

Në 24 orët e fundit në Kosovë 12 persona kanë humbur jetën nga coronavirusi, ndërsa janë konfirmuar 410 raste të reja me këtë virus.

Ministria e Shëndetësisë (MSH) njofton se sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga 8,789 testime, 410 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, kurse gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 12 raste të vdekjes.

MSH gjithashtu njofton se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,089,615 doza të vaksinës.

“Deri më sot 385,297 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Sot janë shëruar 1,732 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 140,682”, thuhet në njoftimin e bërë nga MSH.

Ministria e Shëndetësisë njofton se në total numri i rasteve aktive është 14,501.

Ndërsa, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi sot se në spitalet e Kosovës janë të shtrirë 779 pacientë me coronavirus.

Prej tyre, 49 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 659 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi, thuhet në njoftim.

Shifrat janë më të ulëta se një ditë më parë, kur numri i të hospitalizuarve me coronavirus ishte 883, ndërsa i pacientëve në gjendje të rëndë 55.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi