I dërguari i OKB-së për Jemenin: E vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund luftës është zgjidhja e negociuar

“Ne të gjithë jemi dakord që zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund kësaj tragjedie është përmes një zgjidhjeje politike të negociuar që plotëson aspiratat e grave të Jemenit dhe burrave të Jemenit”, tha Griffiths

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Martin Griffiths, ka deklaruar se zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund luftës në Jemen është përmes negociatave dhe se fraksionet ndërluftuese duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne të gjithë jemi dakord që zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund kësaj tragjedie është përmes një zgjidhjeje politike të negociuar që plotëson aspiratat e grave të Jemenit dhe burrave të Jemenit”, tha Griffiths në një deklaratë për media.

Griffiths bëri thirrje për palët që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të negociojnë me mirëbesim dhe pa parakushte.

“Besoj se ky është një moment për vendime. Ky është një moment për udhëheqjen e përgjegjshme”, shtoi ai.

I dërguari i OKB-së për Jemenin theksoi se procesi i negociatave diplomatike në Jemen ka arritur një “moment kritik”. Ai tha se nevojat humanitare të Jemenit duhet të kenë përparësi.

“Besoj se duhet të adresojmë së pari nevojat kritike humanitare dhe të ndërtojmë besimin midis palëve. Ne së bashku shpresojmë se një marrëveshje për të gjitha ato masa humanitare do të krijojë një mjedis të favorshëm për palët për të hyrë me shpejtësi në bisedime paqësore përfshirëse nën kujdesin e OKB-së, me qëllim për të përfunduar konfliktin në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, deklaroi Griffiths.

Më herët gjatë ditës, Griffiths në Berlin u takua me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Heiko Maas dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Jemenin, Timothy Lenderking, për të biseduar në lidhje me përpjekjet e OKB-së për një armëpushim mbarëkombëtar.

Bisedimet po ashtu u përqendruan në masat e ndërtimit të besimit midis palëve të konfliktit dhe për kthimin në procesin politik.

Pas takimit me kryediplomatin gjerman, dy të dërguarit për Jemenin do të marrin pjesë në një takim virtual të zyrtarëve të lartë qeveritarë në të ashtuquajturin formatin ‘P5+4’, respektivisht pesë fuqitë për veto në OKB, si dhe Gjermania, Suedia, Kuvajti dhe Bashkimi Evropian (BE).

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte rikthimin e fitimeve territoriale të rebelëve Houthi.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, konflikti në Jemen deri më tani ka marrë jetën e të paktën 233 mijë personave, me miliona të tjerë që përballen me uri dhe që kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Kategoritë
BotaLajme