I ndalohet hyrja në stadium për pesë vite djaloshit që hyri për t’u fotografuar me Depay

Një djalë 13 vjeçar është ndaluar nga Philips Stadion në Eindhoven, pasi hyri në fushë për t’u fotografuar me Memphis Depay gjatë ndeshjes ndërmjet Holandës dhe Malit të Zi.

Djaloshi i quajtur Amin i kaloi rrethojat në minutën e 89-të takimit që Tulipanët e fituan me rezultat 4-0 dhe vrapoi në fushë drejt yllit të Barcelonës për t’u fotografuar.

Për shkak të këtij veprimi, atij i është ndaluar hyrja në stadium për pesë vite dhe një gjobë prej 350 eurosh. Më pas, kjo shumë është ulur në 100 euro duke u marrë në konsideratë mosha e tij.

Ky incident ka ardhur vetëm disa ditë, pasi një tjetër tifoz kishte ndërhyrë në intervistën e Virgil Van Dijk pas ndeshjes më 1 shtator.

Mbrojtësi holandez ishte duke folur para kamerës për barazimin (1-1) kundër Norvegjisë kur tifozi iu afrua për të bërë një ‘selfie’.

Yllit të Liverpoolit nuk i kishte pëlqyer kjo situatë dhe e kishte shtyrë tifozin duke kërkuar nga sigurimi që ta zgjidhte situatën.

Kategoritë
LajmeSport