I vetmi vendstrehim i arinjve në Kosovë kthehet në shtëpi për arinjtë e shpëtuar nga restorantet

Ajo u mundëson arinjve të jetojnë në mjedisin e tyre natyror, duke pasur parasysh se pjesën më të madhe të jetesës së tyre kanë kaluar në kafaze prej betoni.

Njëzet arinj të shpëtuar nga restorantet në Kosovë me qëllim të argëtimit të klientëve, po bëjnë një jetë të qetë në strehimoren e ngritur enkas për to, raporton Anadolu Agency (AA).

Strehimorja e vendosur në një sipërfaqe prej 16 hektarësh në fshatin Mramor në afërsi të Liqenit të Badovcit në juglindje të Prishtinës, është ngritur nga organizata për të drejtat e kafshëve “Four Paws” në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe me Komunën e Prishtinës. Ajo u mundëson arinjve të jetojnë në mjedisin e tyre natyror, duke pasur parasysh se pjesën më të madhe të jetesës së tyre kanë kaluar në kafaze prej betoni.

Arinjtë në strehimore gjithashtu u nënshtrohen një programi rehabilitimi nga veterinerë specialistë, që synon të inkurajojë sjelljen e tyre natyrale, pasi aftësitë e kafshëve të egra si letargjia dhe kërkimi i ushqimit nuk është zhvilluar.

Arinjtë Stivi, Lena dhe Andri të zgjuar nga gjumi letargjik para shokëve të tyre në ambientin privat të jetesës ushqehen nga stafi me ushqime të pasura me proteina, si dhe me fruta e perime, mish e mjaltë.

Në operacionet e kryera në vitin 2013 në qytete të ndryshme të Kosovës me mbështetje të Policisë së Kosovës janë shpëtuar 20 arinj, të cilët janë mbajtur me zinxhirë dhe u janë nënshtruar çdo lloj dhune, duke përfshirë edhe dhënien e alkoolit. Tashmë besohet se ka përfunduar abuzimi i arinjve në vend.

Strehimorja, tashmë një projekt i suksesit, një vit para pandemisë COVID-19 ka pritur rreth 40 mijë vizitorë, shumica e të cilëve familje dhe nxënës, ndërkohë ofron punësim për 30 persona.

E vetmja strehë e Kosovës është hapur për vizita mes muajve shkurt dhe dhjetor, atëherë kur arinjtë nuk janë në gjumë letargjik, ndërsa veçanërisht fëmijët tregojnë interes të lartë.

Kategoritë
LajmeVendi