Ibishi: Gratë shtatzëna që po trajtohen nga Covid-19 nuk janë të vaksinuara

Gjinekologia obstetër, Vlora Ibishi, thotë se 14 gra shtatzëna që janë duke u trajtuar pas infektimit me COVID-19 nuk janë të vaksinuara.

Ibishi në “Info Magazine” mes tjerash deklaroi se të pavaksinuara kanë qenë edhe shtatzënat tjera që janë trajtuar në klinikë e që tashmë janë liruar për në shtëpi,  “Në raportin COVID në Klinikën e Gjinekologjisë deri në ora 14:30 kanë qenë të shtrira 14 gra dhe të gjitha janë COVID pozitivë. Por, ky numër mund të ndryshojë nga momenti në moment”.

“Gjendja e tyre është stabile në përjashtim të një pacienteje e cila është transferuar në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive. Asnjëra nga 14 gratë shtatzëna që janë duke u trajtuar nuk kanë qenë të vaksinuara ndaj COVID-19”, tha Ibishi.

Doktoresha mes tjerash tregoi arsyet që këto shtatzëna nuk janë vaksinuar teksa edhe bëri të ditur se në cilën javë të shtatzanisë janë pacientet e infektuara.

“Disa prej grave shtatzëna kanë qenë të keqinformuara, disa nuk janë të informuara fare ndaj vaksinës e ka edhe prej atyre që janë frikësuar se mund ta dëmtojnë foshnjën e tyre ose se vaksina mund të ndikojë në fertilitet”.

“Kemi gra shtatzëna të infektuara me COVID-19 që janë në javën e 40të të shtatzënisë por kryesisht infektimi dominon tek gratë në mes javës 28-32 të shtatzënisë”, tha Ibishi.

Gjinekologia mes tjerash u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen ndaj COVID-19 e veçanërisht gratë shtatzëna.

Kategoritë
LajmeVendi