Ilir Meta dekoron mësuesin dhe kryengritësin nga Gjilani, Mustafë Koka, me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pranuar inicimin e Lutfi Hazirit për ta dekoruar patriotin, mësuesin dhe kryengritësin e madh për lirinë e shqiptarëve, Mustafë Koka (post mortum), me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”.

Dekoratën e sollën të shtunën në Gjilan dy këshilltarët e presidentit Meta, Famur Gashi dhe Tedi Blushi, të cilët bashkë më kryetarin Lutfi Haziri, ia dorëzuan familjes së Mustafë Kokës.

Kryetari Haziri ka falënderuar presidentin shqiptar që e pranoi propozimin e tij, për ta dekoruar këtë figurë të madhe të shqiptarëve.

“Në këtë ditë të veçantë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij Ilir Meta, e pranoi propozimin tim për ta dekoruar patriotin, mësuesin dhe kryengritësin e madh, Mustafë Koka (post mortum), me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”, i cili u vra në pabesi, në Prizren, 70 vite më parë. Falënderoj presidentin Meta që me këtë dekoratë ka nderuar, jo vetëm Gjilanin, por shqiptarët kudo. Falënderoj edhe dy këshilltarët e Presidentit, Flamur Gashi dhe Tedi Blushi, të cilët kanë ardhur enkas nga Tirana për t’ia përcjell këtë dekoratë familjes. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Mustafë Kokës!”, ka thënë kryetari Haziri.

Këshilltari për çështje të rajonit i Presidentit Meta, ambasador Flamur Gashi, ka përcjell urimet më të ngrohta të presidentit Meta për familjen e Mustafë Kokës dhe të gjithë atyre që e kanë dhënë jetën për Shqipëri e shqiptari.

“Presidenti Meta gjatë gjithë mandatit ka qenë i vëmendshëm që çdo propozim që ka ardhur për figura të shquara të kombit, të vlerësohet ashtu si duhet. Figurat e tilla si Mustafë Koka i bëjnë nder jo vetëm Gjilanit e Kosovës, por mbarë kombit tonë”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, dekretin e presidentit të Shqipërisë e ka lexuar këshilltari i tij, Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës i jep Mustafë Kokës pas vdekjes titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”, në vlerësim të veprimtarinë e tij të spikatur atdhetare, luftëtar i devotshëm i kauzës kombëtare, mësues i dëshmuar dhe mbrojtës i identitetit kombëtar shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore”, shkruhet në dekretin e Presidentit Meta.

Në emër të familjes së Mustafë Kokës ka fokur Ismet Azizi, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për inicimin dhe presidentin shqiptar që e dekoroi kryengritësin e madh, duke thënë se këtë dekoratë e kanë pritur prej kohësh.​

Kategoritë
LajmeRajoni