Indi, numri i viktimave dhe rasteve me COVID-19 arrin nivelin më të lartë që nga fillimi i pandemisë

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 3.980 viktima dhe 412.262 raste me COVID-19

Numri i rasteve dhe viktimave me koronavirusin e ri (COVID-19) në Indi në 24 orët e fundit ka arritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 412.262 raste të reja me virus, duke e çuar numrin e rasteve në 21.077.410. Ndërsa janë regjistruar 3.980 viktima të reja duke e çuar numrin e vdekjeve në 230.168.

India tashmë është vendi që raporton më shumë vdekje në bazë ditore. Ekspertët paralajmërojnë se numri real i rasteve dhe të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë sesa ai që bëhet publik.

Në vend ende vazhdon trajtimi i 3.556.398 pacientëve.

Problemi me oksigjen

Sipas lajmeve në mediat indiane, përveç rasteve në rritje me COVID-19, për shkak të mungesës së oksigjenit mjekësor dhe problemit të vaksinave, lindin probleme në sistemin shëndetësor.

Në lajmin e “Times of India”, në qytetin jugor të vendit, Çengalpet, 11 pacientë kanë humbur jetën pas një defekti në tubacionin që i furnizon me oksigjen pacientët me COVID-19.

Në dy javët e fundit nevojat e spitalit për oksigjen janë dyfishuar ndërsa për shkak të rritjes së rasteve që nga muaji prill nevoja për oksigjen mjekësor në vend është rritur për 7 herë.

Ministri i Shëndetësisë, Harsh Vardhan lidhur me çështjen tha se vendi ka oksigjen të mjaftueshëm por shumica e objekteve të prodhimit ndodhen në lindje të vendit, duke theksuar se hasin në vështirësi në transportimin e tyre në rajonet perëndimore dhe veriore ku ka më shumë raste.

Ndërkohë, që nga 16 janari kur filloi fushata e vaksinimit në Indinë me popullsi prej rreth 1.4 miliardë banorësh, janë administruar 162.513.339 doza të vaksinës, por ky numër nuk është i mjaftueshëm për të frenuar pandeminë.

Kategoritë
BotaLajme