Informacionet zyrtare: Në aksidentin në Bullgari vdiqën 44 persona, jo 45

Dy ditë pas aksidentit tragjik në autostradën e Strumës në Bullgari, Prokuroria e Bullgarisë ka njoftuar se nga ky aksident kanë vdekur 44 persona, e jo 45 siç raportohej ditën e aksidentit, raporton Express.

Të martën, kur edhe ndodhi aksidenti, fillimisht u raportua se janë 45 viktima, derisa më vonë u tha se numri i të vdekurve është 46.

Por, pas hetimeve që janë zhvilluar nga autoritetet bullgare, sot është bërë me dije se janë gjetur 44 trupa.

Zëdhënësja e kryeprokurorit të Bullgarisë, Siika Mileva ka treguar se është takuar në spitalin “Pirogov” me një nga shtatë të mbijetuarit, i cili i ka treguar se si e kishte thyer xhamin e pasmë të autobusit dhe se si kanë shpëtuar 8 persona.

“Gjatë kontrollit janë gjetur 44 trupa. Nga kjo matematika është e thjeshtë. Sipas të dhënave kemi 52 pasagjerë. Në spital janë 7 – katër burra dhe tri gra, misteri i madh mbetet se ku është personi i tetë”,  tha Mileva.

Ajo tha se mund të ishte një mosmbamendje e mirë e të mbijetuarit, por theksoi se ai kishte përsëritur versionin e tetë të shpëtuarve gjatë marrjes në pyetje nga një hetues në prani të një përkthyesi.

Edhe zëvendëskryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov ka bërë të ditur se në autobus janë gjetur 44 trupa e jo 46 siç është thënë dhe raportuar deri më tani.

Hetimi i deritashëm për aksidentin tragjik në autostradën e Strumës në Bullgari e hedh poshtë kategorikisht versionin se transportoheshin benzinë apo naftë ​​nga Turqia, dhe se kjo ishte arsyeja e shpërthimit të zjarrit në autobus. Këtë e bëri të ditur kreu i hetimit kombëtar dhe zëvendëskryeprokurori bullgar, Borislov Sarafov gjatë një konferencë të posaçme për këtë temë sot, shkruan gazeta bullgare, Sega.

Kategoritë
LajmeVendi