Instituti gjerman: Vala e katërt e pandemisë ka filluar, të rinjtë veçanërisht të prekur nga Covid

Sipas Institutit gjerman, Robert Koch, vala e katërt e pandemisë ka filluar në Gjermani. Përqindja e mostrave pozitive në testet laboratorike të PCR u rrit nga 4% në 6% brenda një jave, deri në mes të gushtit, sipas raportit të fundit javor të Institutit. Rreth gjysmë milion teste u morën nga pothuajse 200 laboratorë.

Të rinjtë janë veçanërisht të prekur nga infeksionet: “Kjo tregon qartë fillimin e valës së katërt, e cila po rritet me shpejtësi, veçanërisht për shkak të infeksioneve në mesin e të rinjve,” thuhet në raportin e fundit të RKI. Disa u infektuan në vendet e pushimit, për shembull në Ballkan, Turqi ose Spanjë.

Instituti Koch vazhdon të theksojë rrezikun e lartë shëndetësor të qytetarëve gjermanë, që ende nuk janë vaksinuar ose që janë vaksinuar vetëm me një dozë. Për njerëzit plotësisht të vaksinuar, studiuesit e tij e vlerësojnë rrezikun, të moderuar.

Sipas raportit, që nga fillimi i korrikut ka pasur një rritje të pozitivitetit në vend, veçanërisht në grupmoshat 10 deri në 49 vjeç.

Raporti javor i RKI publikohet me një vonesë kohore. Shumica e përfundimeve bazohen në të dhënat nga java e parë e gushtit.

Kategoritë
BotaLajme