Irani: Jemi të gatshëm për marrëdhënie diplomatike me Arabinë Saudite

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, deklaroi se bisedimet me Arabinë Saudite po përparojnë në një drejtim pozitiv.

Sipas medias shtetërore ruse “Sputnik”, kryediplomati iranian ndau informacione rreth negociatave në vazhdim me Arabinë Saudite gjatë një interviste për shtypin e Katarit.

Ai bëri me dije se bisedimet me administratën e Riadit po përparojnë në një drejtim pozitiv

“Ne jemi të gatshëm për marrëdhënie diplomatike me Arabinë Saudite. Së shpejti, përfaqësuesit e Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam do të kthehen në qytetin Xhida të Arabisë Saudite. Ky është një hap pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha ministri i Jashtëm iranian.

Pasi vuri në pah se administrata e Riadit dëshiron të negociojë çështjet rajonale, Amir-Abdollahian nënvizoi se Teherani i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit rajonal.

“Ne i kushtojmë shumë rëndësi bashkëpunimit dhe negociatave me Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin për zgjidhjen e problemeve rajonale”, sqaroi ai.

Gjithashtu shefi i diplomacisë iraniane paralajmëroi vendet e rajonit që vendosën të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

“Ne i paralajmërojmë fqinjët tanë që të mos vendosin për normalizim me regjimin sionist izraelit. Ky është një gabim i madh strategjik. Të parët që do të paguajnë koston e këtij gabimi, do të jenë vetë ata (vendet që zgjedhin normalizimin)”, u shpreh ministri Amir-Abdollahian mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme