Irani: Marrëveshja në bisedimet bërthamore në Vjenë është “afër”

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Habibzadeh, u tha gazetarëve se gjatë bisedimeve në Vjenë të dy palët kanë arritur një tekst të qartë për të gjitha çështjet

Irani ka deklaruar se pajtimi me fuqitë botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 është afër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Habibzadeh, u tha gazetarëve se gjatë bisedimeve në Vjenë të dy palët kanë arritur një tekst të qartë për të gjitha çështjet.

“Nuk duket se raundi tjetër i bisedimeve në Vjenë do të jetë i fundit. Ne kemi arritur një tekst të qartë për të gjitha çështjet. Mbetet vetëm që të gjitha palët të marrin një vendim politik”, tha Habibzadeh.

Sipas tij, nëse merret një vendim politik atëherë do të mund të shpresohet se “kemi arritur në pikën përfundimtare të negociatave”.

Raundi i gjashtë i bisedimeve në Vjenë midis Iranit dhe fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dje u shty pasi delegatët u kthyen në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe vendimet përfundimtare.

Në vitin 2018, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi në mënyrë të njëanshme Washingtonin nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, në një masë që synonte ta kthejë Teheranin në negociata për atë që Trump shpresonte se do të ishte një marrëveshje “më e mirë”.

Kategoritë
BotaLajme