Irani ndalon gërmimin e kriptovalutës Bitcoin për shkak të krizës së energjisë elektrike

Irani përbën 4,5 për qind të gërmimeve të Bitcoin-it pasi operatorët joshen nga energjia e lirë dhe rezervat e mëdha të gazit natyror

Irani ka vendosur një ndalim katërmujor në “gërmimin” e kriptovalutave si Bitcoin pas ndërprerjeve të paprecedenta të energjisë elektrike në qytetet e mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Teheran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndalimi, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, do të zgjasë deri më 22 shtator, thuhet në një njoftim zyrtar.

Duke fajësuar “minierat” e palicencuara të Bitcoin-it për krizën e energjisë elektrike në vend, presidenti Hassan Rouhani tha se gërmimet e paligjshme të kësaj kriptovalute konsumojnë deri në 2.000 megavatë energji elektrike në krahasim me 300 megavatët e përdorur për operacionet e ligjshme të Bitcoin-it.

Firma shtetërore iraniane e energjisë elektrike Tavanir tha se vendi ka vetëm 50 impiante të licencuara të gërmimit të Bitcoin-it, kurse 85 për qind e gërmimeve kryhen në mënyrë të paligjshme, duke konsumuar 95 megavatë energji të subvencionuar në orë.

Ndalimi i të gjithë gërmimeve të ligjshme dhe të paligjshme vjen në mes të një rritjeje të kërkesës për energji elektrike në javët e fundit, shoqëruar me ndërprerje të paralajmëruar të energjisë në shumë qytete që prekin bizneset dhe shërbimet mjekësore.

Sipas Elliptic, udhëheqësi global në menaxhimin e rrezikut të kripto-aseteve dhe analitikës së “blockchain”, Irani tani përbën 4,5 për qind të minierave në botë të Bitcoin-it, pasi operatorët joshen nga energjia e lirë dhe rezervat e mëdha të gazit natyror.

Energjia elektrike e nevojshme për operacionet e minierave të Bitcoin-it konsumon rreth 10 milionë fuçi naftë bruto në vit, e cila është e barabartë me 4 për qind të eksporteve totale të naftës iraniane në vitin 2020, sipas Elliptic.

Ekspertët thonë se Irani ka përdorur kriptovalutat si një mjet për të shmangur sanksionet e vendosura nga Washingtoni për shkak të programit të tij bërthamor, kurse Kina ka qenë investitori kryesor.

Gërmimi i kripto-aseteve u njoh në Iran për herë të parë në vitin 2019, pas së cilës u krijua një regjim licencimi për të identifikuar minatorët legalë që paguanin energjinë elektrike dhe shisnin Bitcoin-ët e tyre të gërmuar në bankën qendrore të Iranit. Mijëra miniera të paligjshme janë mbyllur në dy vitet e fundit.

Në janar të këtij viti, një uzinë e madhe gërmimi e kriptomonedhave e operuar bashkërisht nga një irano-kinez u mbyll në provincën juglindore Kerman.

Kjo erdhi pasi një video virale tregoi mijëra makina të Bitcoin-it që operonin në uzinën në qytetin Rafsanjan të Kermanit, duke përdorur 175 megavatë energji elektrike nga gjithsej 600 megavatë të alokuar në të gjitha uzinat e kriptovalutave në vend.

Kategoritë
BotaLajme