Irani thotë se mbështet armëpushimin në Jemen

“Që nga fillimi i kësaj lufte, Republika Islamike e Iranit ka theksuar se kriza në Jemen nuk ka zgjidhje ushtarake”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit

Irani njoftoi se mbështet çdo plan paqeje në Jemen që shpall një armëpushim mbarëkombëtar, një ditë pasi Arabia Saudite ofroi t’i japë fund luftës që zgjat pothuajse 6 vjet, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Që nga fillimi i kësaj lufte, Republika Islamike e Iranit ka theksuar se kriza në Jemen nuk ka zgjidhje ushtarake”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit.

“Irani mbështet të gjitha llojet e iniciativave të paqes që do t’i japin fund okupimit, të hapin rrugën për heqjen e bllokadës ekonomike, të fillojnë negociatat politike dhe të mundësojnë transferimin e pushtetit te populli i Jemenit pa ndërhyrje të huaj”, theksohet në deklaratë.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, propozoi një armëpushim të mbikëqyrur nga OKB midis qeverisë së Jemenit të mbështetur nga Arabia Saudite dhe rebelëve Houthi, të cilët mbështeten nga Irani.

Ai gjithashtu propozoi rihapjen e Aeroportit Ndërkombëtar në Sana dhe fillimin e negociatave politike.

Jemeni është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që synon rivendosjen e qeverisë së Jemenit përkeqësoi situatën, duke shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë me rreth 30 milionë njerëz që përbëjnë që 80 për qind të popullsisë së këtij vendi të jetë në nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare.

Kategoritë
BotaLajme