Isa Mustafa: Nuk më mungon politika, kam pasë nevojë për pushim

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se është mirë me shëndet dhe çdo ditë po bëhet edhe më mirë.

Ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën thotë se nuk i mungon aspak politika dhe se ka pasë nevojë për pushim.

“T’iu them të drejtën jo, por po mundohem ta përcjell për aq sa kam kohë. Nuk më mungon angazhimi im, megjithatë shoh se kam pasë nevojë të pushoj dhe të largohem nga përgjegjësitë e drejtpërdrejta në politikë, sepse kur je aty nuk mund të qëndrosh dhe të mos marrësh përgjegjësi, të mos reagosh e mos ta ndjesh peshën publike të çdo gjëje që ndodh në këtë vend. Tani është një pozitë krejt tjetër, e sheh prej një këndi tjetër atë që ndodh dhe nuk e sheh vetëm nga aspekti se si dëshiron ti ta shohësh në pikëpamje të subjektit politik në krye të cilit kam qenë. Mundohem t’i shoh të gjithë nga një horizont i njëjtë”.

Ai ka treguar edhe se si është një ditë e tij pa angazhime politike, derisa thotë se ka kontakte me shumicën nga kolegët në LDK.

“Angazhohem në shkrime dhe lexime, kryesisht të literaturës profesionale. Dal në akademi gjatë javës disa herë, qoftë në takimet në takimet që i kemi në seksionin e shkencave shoqërore ose për punë në kabinet”.

“Kam kontakte me shumicën e njerëzve me të cilët kam punuar në LDK. Kryesisht janë takime dhe biseda jashtë politikës dhe detyrave ditore që ata tani kanë. Kam kontakte gati me të gjithë”.

Kategoritë
LajmeVendi