Ish-kancelari austriak Kurz njofton largimin nga politika

Kurz tha se e ka kryer detyrën me shumë entuziazëm dhe gëzim, por zhvillimet e ndryshme, veçanërisht akuzat për korrupsion, ryshfet dhe shkelje të besimit në muajt dhe javët e fundit, e kanë dekurajuar atë nga kryerja e detyrës

Ish-kancelari austriak dhe lideri i Partisë Popullore Konservatore (OVP) Sebastian Kurz njoftoi largimin nga politika, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat, Kurz falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij dhjetëvjeçare, që nga mandati i sekretarit të përgjithshëm deri në kancelar.

Ai tha se e ka kryer detyrën me shumë entuziazëm dhe gëzim, por zhvillimet e ndryshme, veçanërisht akuzat për korrupsion, ryshfet dhe shkelje të besimit në muajt dhe javët e fundit, e kanë dekurajuar atë nga kryerja e detyrës.

Vendimi për t’u dorëhequr nuk ishte i lehtë, tha ai, dhe përsëri mohoi akuzat dhe përsëriti besimin e tij se këto pretendime do të sqarohen në gjykatë.

“Si kancelar, keni kaq shumë vendime që duhet të merrni çdo ditë, saqë e dini menjëherë se do të merrni edhe vendime të gabuara”, tha ai.

“Jeni gjithmonë nën vëzhgim. Gjithashtu vazhdimisht keni ndjenjën se jeni duke u gjuajtur”, shtoi Kurz.

Ndryshe, prokuroria ka nisur një hetim kundër Kurz, i cili u desh të jepte dorëheqjen si kancelar më 9 tetor nën presionin e Partisë së Gjelbër.

Ai njihej për vendimet e tij të diskutueshme kundër muslimanëve në Austri dhe retorikën e tij anti-emigrante dhe antiturke.

Kategoritë
BotaLajme