Ish-kreu i Bankës së Vatikanit dënohet me burg për përvetësim dhe larje parash

Angelo Caloia, së bashku me dy persona të tjerë, u shpall fajtor për përvetësim dhe larje parash në kohën kur ishte në krye të institucionit në vitet 1989-2009.

Angelo Caloia, ish-kryetar i Institutit të Punëve Fetare (IOR), i njohur si Banka e Vatikanit, u dënua për përvetësim dhe pastrim parash.

Një seancë përfundimtare u mbajt në lidhje me rastin në të cilin Caloia, i cili ishte kryetari i IOR-së midis viteve 1989-2009, dhe Gabriele Liuzzo, një nga këshilltarët ligjorë të institucionit në atë kohë, dhe djali i tij Lamberto Liuzzo, u gjykuan me akuzat e përvetësimit dhe pastrimit të parave.

Në rastin që filloi në vitin 2018, kryetari i Gjykatës së Vatikanit Giuseppe Pignatone njoftoi se Caloia dhe Gabirele Liuzzo dënohen me 8 vjet e 11 muaj burg dhe 12.500 euro gjobë, kurse Lamberto Liuzzo me 5 vjet e 2 muaj burg dhe gjobë prej 8.000 eurosh.

Gjykata urdhëroi gjithashtu dëmshpërblimin prej rreth 23 milionë eurosh për institucionin e dëmtuar IOR dhe konfiskimin e të gjitha llogarive të të pandehurve.

Të pandehurit u akuzuan për përvetësim të milionave që kishin fituar duke shitur pronat e shumta të IOR-së në Itali nën vlerën e tregut gjersa ishin në krye të bankës, dhe pastrimin e tyre në Zvicër.

Të tre personat në gjyq mohuan akuzat kundër tyre gjatë gjithë gjykimit. Avokati i Caloia-s deklaroi se do ta apelojnë vendimin.

Me këtë vendim, Caloia u bë zyrtari më i lartë i Vatikanit i dënuar për krim financiar në Vatikan.

Kategoritë
BotaLajme