Ish-ministri i Drejtësisë: Kosova duhet të kërkojë mbylljen e Gjykatës Speciale

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë se Kosova duhet të kërkojë mbylljen e Gjykatës Speciale.

Selimi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të fillojnë së vepruari e të inicojnë përpjekjet institucionale për ndryshimet ligjore të nevojshme me qëllim të përmbylljes së kësaj gjykate të fabrikuar në Moskë e Beograd.

Sipas tij, në këto rrethana të reja është e pafalshme që Kosova të heshtë për këtë padrejtësi historike.

Postimi i plotë i Selimit:

Kosova të kërkojë mbylljen e Gjykates Speciale

Kosova në bashkëveprim të ngushtë me ShBA dhe BE duhet të fillojnë konsultimet me kërkesen për procesin e përmbylljes së Gjykatës Speciale në Hagë.

Ledhatimi evropian në Këshillin e Evropës ndaj ‘arushës ruse’ në kurriz të së vërtetes sonë na e solli edhe ‘narrativin’ e kerkesën e mbrojtjes dhe dëshmimin e vlerave tona perëndimore si shoqëri e shtet në kerkim të ‘drejtësisë’ dhe ‘ballafaqimit me të kaluaren’ – “pastrimin e luftës së drejtë e çlirimtare të UÇK-së nga elementet dyshuese për ‘krime lufte”.

E vërteta ishte dhe mbetet se duhej të plotësohen dëshirat e vullneti persekutues i Moskës dhe Beogradit që ishte adresuar kundër udhëheqësve të luftës sonelë çlirimtare. Ky çmim i “drejtësisë ruse” e jo i vlerave perëndimore duhet paguar nga Kosova, e për fabrikim të dëshmive kompetencat do t’i barte Moska e Beogradi. Këtë po e vërteton gjithnjë përmbajtja e akuzave në procesin gjyqësor të Hagës.

Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të fillojnë së vepruari e të inicojnë përpjekjet institucionale për ndryshimet ligjore të nevojshme me qëllim të përmbylljes së kësaj gjykate të fabrikuar në Moskë e Beograd.

Në këto rrethana të reja është e pafalshme që Kosova të heshtë për këtë padrejtësi historike.

Kurtha dhe kompromisi mashtrues shumëpalesh me drejtesinë e agjendën e Putinit, në kurriz të së vërtetes sonë për luftën e udhëheqësit e UÇK-së në Gjykatën Speciale duhet të marrë fund!

Pas shpërfytyrimit agresiv e vrastar të Putinit e Rusisë në Ukrainë, miqtë ndërkombëtarë e kanë më të lehtë ta kuptojnë por edhe ta pranojnë mashtrimin, të vërteten dhe çmimin e padrejtësisë që Kosova sot po e paguan për llogari të ‘drejtesisë e barazisë’, të kërkuar pikërisht nga Beogradi e Moska e Putinit.

Lufta në Ukraine ka kthyer parimet e Nurembergut. Kjo luftë ka përmbysur konceptet e krimeve eventuale që i identifikon fituesin dhe humbësit.

Atëherë kur cenohen vlerat progresive e të demokracisë, legjitimiteti vie mbi legalitetin. Në fund të fundit edhe intervenimi i NATOs në Kosovë u bazua mbi legjitimitetin e jo mbi legalitetin.

Kategoritë
LajmeVendi