Ish-ministri Zemaj tregon nëse e kishte menduar ndonjëherë dorëheqjen

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ka treguar nëse e kishte menduar ndonjëherë dorëheqjen nga pozita e ministrit, për shkak të ballafaqimit me pandeminë COVID-19.

Ai po ashtu ka folur edhe për momentet më të vështira gjatë punës si ministër në ballafaqimin me pandeminë.

Zemaj ka thënë se presioni ndaj një ministri të Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë është shumë i madh, megjithatë, ai asnjëherë nuk e kishte menduar dorëheqjen e dorëzimin.

“Presioni është i madh ndaj një ministri të Shëndetësisë. Në atë kohë kur unë kam marrë mandatin dhe kur kemi filluar menaxhimin e pandemisë, nuk kemi pas edhe kohë të mendojmë për kësi situatash sepse do të ishte një dorëzim dhe joemoralshme kur ke të bësh me çështje humane. Në një moment mund të kërkoje komoditet tjetër, por edhe në natyrën time është përballja me vështirësi e jo tërheqja”, ka deklaruar ai.

Zemaj po ashtu ka treguar se gjatë kohës si ministër ka pasur edhe momente të vështira, sidomos kur numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 ishte rritur, derisa numri i respiratorëve ishte minimal.

“Kur kanë filluar të rriten rastet spitalore ne kemi pasur numër minimal të respiratorëve. Paramendoni një profesionistë shëndetësorë që duhet të përballet me atë se cilit pacientë të ja ofrojë frymëmarrjen artificiale. Ne kemi intervenuar shumë shpejtë, fati i mirë ka qenë edhe përkrahja e madhe e donatorëve”, ka thënë ai.

Zemaj ka shtuar se kanë marrë ndihmë edhe nga donator të ndryshëm në vend, andaj edhe kanë intervenuar shpejtë.

Kategoritë
LajmeVendi