Ish-pjesëtarët e UÇK-së në Hagë do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

“Të gjitha aplikimet janë verifikuar personalisht dhe janë regjistruar”, njofton KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 19 janar ka pranuar aplikimet nga shtetasit e Republikës së Kosovës që aktualisht ndodhen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë duke u gjykuar me dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës për periudhën sa ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitet 1998-99, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur në komunikatën e KQZ-së, aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës janë paraqitur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, deputeti Rexhep Selimi, si dhe Sali Mustafa.

“Të gjitha aplikimet janë verifikuar personalisht dhe janë regjistruar”, njofton KQZ.

Tutje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka falënderuar për bashkëpunim administratën e Dhomave të Specializuara si dhe Ambasaden e Republikës së Kosovës në Holandë që ka ndihmuar në komunikim me Dhomat e Specializuara.

Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Kategoritë
LajmeVendi