Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj sot del sërish para gjykatës

Shqyrtimi kryesor në rastin ku ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, po akuzohet se ia ka mohuar apo kufizuar të dëmtuarit Vehbi Miftari të drejtën në punësim në kushte të njëjta, pritet të nis sot.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur me 10.06.2020, Ramë Vataj akuzohet se nga 30 shtatori 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje në aktakuzë thuhet se: “I akuzuari nuk e zbaton vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri, me ç’rast të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs”, thuhej në njoftimin e prokurorisë, për ngritjen e aktakuzës në fjalë.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar se që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politik.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014 deri në vitin 2018.

Kategoritë
LajmeVendi