Ish-sekretari i Ministrisë së Integrimit: Akuzohem për një kontratë që kam refuzuar ta nënshkruaj

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhës dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie. Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Demush Shasha i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së.

Lidhur me këtë aktakuzë ka reaguar vet Shasha.

Ai ka thënë se është i befasuar nga vendimi i Prokurorisë. Shasha ka treguar se ka dhënë deklaratë në Polici në cilësinë e dëshmitarit por javën e kaluar papritur është ftuar nga Prokuroria si i pandehur.

“Nga mediat mora vesh që më është ngrit aktakuza lidhur me një kontratë të cilën kam REFUZUAR të nënshkruaj dhe kam qenë gati të pranoj edhe koston personale për këtë refuzim. Jam i befasuar nga vendimi i prokurorisë pasi që në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratën në polici. Në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratë edhe në prokurori. Papritmas, javën e kaluar, prokuroria më ka ftuar edhe në cilësi të pandehurit. Gjatë intervistës nuk kam arritur të kuptoj se çfarë e ka shtyrë prokurorinë të më ri-cilësoj mua nga të qenurit dëshmitar në të qenurit i pandehur”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Nga mediat mora vesh që më është ngrit aktakuza lidhur me një kontratë të cilën kam REFUZUAR të nënshkruaj dhe kam qenë gati të pranoj edhe koston personale për këtë refuzim.Jam i befasuar nga vendimi i prokurorisë pasi që në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratën në polici. Në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratë edhe në prokurori. Papritmas, javën e kaluar, prokuroria më ka ftuar edhe në cilësi të pandehurit. Gjatë intervistës nuk kam arritur të kuptoj se çfarë e ka shtyrë prokurorinë të më ri-cilësoj mua nga të qenurit dëshmitar në të qenurit i pandehur.Sidoqoftë, thonë kur nuk e ke mizën pas veshit e ke lehtë. Nuk e kam mizën pas veshit sepse që nga fillimi kam marr çdo hap në përputhje me ligjin dhe për hir të transparencës kam shkuar edhe më larg duke dërguar të gjithë kontratën për interpretim në institucionet sikur Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – vetëm dhe vetëm për tu siguruar se asnjë veprim i MIE-së të mos jetë në kundërshtim me ligjin. Prandaj, sot nuk e kam mizën pas veshit

.Për fund edhe një gjë. Kritikat e mija për shtetin e kapur janë publikisht të njohura. Unë në vazhdimësi kam folur dhe flas për nevojën e ndërtimit të institucioneve kredibile sepse i kuptoj pasojat e rrezikshme të cilat mund vijnë nga një shtet i kapur. Flas sepse kam parë nga dora e parë se brenda institucioneve ka politikanë dhe shërbyes civil të shkëlqyeshëm të cilët shërbejnë me dinjitet në interesin e shtetit. Kam parë nga dora e parë se brenda sistemit të drejtësisë ka profesionistë të jashtëzakonshëm të cilët mund të ofrojnë qytetarëve një drejtësi që e meritojnë. Një drejtësi të pavarur para së cilës të gjithë jemi të barabartë. Prandaj, larg qoftë se ky zhvillim do më ndaloj nga kritikat për gjendjen tonë në vend. Përkundrazi.

Kategoritë
LajmeVendi