Ish-ylli i Gjermanisë e quan budalla Ronaldon, pasi e turpëroi Rudigerin

Ish-ylli gjerman i Liverpoolit, Dietmar Hamann, e ka quajtur budalla Cristiano Ronaldon, pas disfatës së Portugalisë 4:2 kundër Gjermanisë në Euro 2020 në Munih.

Ronaldo, i cili e shënoi golin e parë në atë ndeshje por në fund përfundoi si humbës, e mori vëmendjen me një çast magjik kur e dribloi Antonio Rudigerin duke shfaqur aftësi mahnitëse, transmeton Gazeta Express.

Driblimi që ia bëri sulmuesi i Juventusit mbrojtësit të Chelseat u cilësua si turpërim, pasi Ronaldo ia kaloi topin mbi kokë atij dhe u bëri sikur do ta kapte me dorë, para se ta pasonte me thembër te një bashkëlojtar duke shikuar anash.

Por Hamann beson se ai veprim i Ronaldos vetëm sa e nxiti Gjermaninë për ta mposhtur Portugalinë dhe thotë se kjo e bëri Ronaldon të duket budalla në fund.

Sipas ish-yllit të Gjermanisë, nuk pati magji në veprimin e Ronaldos ndaj Rudigerit.

“Mendoj se është e pakuptimtë. Ai e coi topin mbi të, duke pretenduar se do ta kapte me dorë dhe pastaj e goditi me thembër duke shikuar anash”, tha Hamann.

“Natyrisht se është (e mahnitshme) dhe ne e dimë se ai mund ta bëjë këtë. Por në një mënyrë, ai e nxiti kundërshtarin. Kjo ndodhi kur rezultati ishte 1:0 dhe unë jam ulur këtu me juve dhe të gjithë po flasim me entuziazëm për këtë. Po, ai është më i miri me Messin. Por ai duket si budalla tani. Ai duket si budalla. Çfarë donte të arrinte me këtë? Ndoshta ky rikthim (i Gjermanisë) nisi pikërisht këtu”, shtoi ai.

Kategoritë
LajmeSport