Islamofobia në Evropë shtrihet edhe në fushën e arsimit

Raporti Evropian i Islamofobisë 2020 tregon se karahas politikës, drejtësisë dhe jetës sociale, islamofobia në kontinentin e Evropës ka rritur ndikimin edhe në fushën e arsimit.

Sipas “Raportit Evropian të Islamofobisë 2020”, antiislamizmi që ka shënuar rritje në Evropë në politikë, drejtësi dhe jetën sociale, gjithashtu ka rritur ndikimin e tij edhe në arsim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raporti u përgatit nga Enes Bayrakli, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Turko-Gjerman me qendër në Stamboll, dhe Farid Hafez, shkencëtar politik nga Iniciativa Ura e Universitetit Georgetown.

Raporti ka përfshirë kontribute nga 37 akademikë, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile në mbulimin e 31 vendeve evropiane.

Raporti mbështetet nga Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve dhe Kërkimeve të Islamofobisë (IISRA), Instituti i Tjetërsimit dhe Përkatësisë në Universitetin e Kalifornisë, Qendra për Siguri, Racë dhe të Drejta në Universitetin Rutgers, Qendra Ndërkombëtare e Studimeve të Islamofobisë, Projekti i Kërkimit dhe Dokumentimit të Islamofobisë (IRDP) në Qendrën për Racën dhe Gjininë në Universitetin e Kalifornisë, Studimet për Etnitë dhe Diasporat Arabe dhe Muslimane (AMED) në Universitetin Shtetëror të San Franciskos dhe Instituti Leopold Weiss.

Në raport janë trajtuar praktikat antimuslimane në sistemin e arsimit në Evropë, ndërsa arsimi në disa vende të rajonit është përdorur si mjet për të nxitur antiislamizmin.

– Në shkollat në Bullgari bëhet antiosmanizëm

Në një studim mbi diskriminimet në sistemin arsimor të Bullgarisë, theksohet se në orë mësimore mësohet historia me perceptimin se “shteti osman i islamizoi me dhunë bullgarët e krishterë”, me ç’rast është vënë re se nxënësve muslimanë u është portretizuar si “armiq të përjetshëm”.

Sociologu iranian Prof. Mesud Kemali, në hulumtimin e tij zbuloi se diskriminimi ndaj emigrantëve dhe veçanërisht muslimanëve është pothuajse i integruar në kurrikulën e shkollave në Suedi.

Partia Demokratike e ekstremit të djathtë në Suedi, në vitin 2018 kishte paraqitur një projektligj në parlament për të ndaluar të gjitha shkollat ​​muslimane në vend. Ndonëse projektligji nuk kaloi në parlament, qeveria në vitin 2020 vendosi mosndërtimin e shkollave të reja fetare në vend.

– Në Holandë vazhdon diskriminimi ndaj personave me orgjinë turke

Në një raport të përgatitur nga Instituti Holandez për Kërkime Sociale, u zbulua se nxënësit shtetas holandezë me origjinë turke dhe marokene ende i nënshtrohen diskriminimit dhe si rezultat i përjashtimit nga shoqëria po humbin gradualisht besimin e tyre ndaj vendit.

Në raport u pohua se diskriminimi në fjalë është bërë për arsye fetare si dhe për origjinën e tyre etnike.

Qeveria belge, nga ana tjetër, ndaloi shaminë në institucionet e arsimit të lartë, duke sjellë antiislamizmin në fushën e arsimit.

Gjykata Kushtetuese në Belgjikë, në qershor të vitit 2020, nën petkun e “paanshmërisë”, vendosi se ndalimi i simboleve politike dhe fetare, veçanërisht i shamisë, në institucionet e arsimit të lartë është në përputhje me ligjin.

Kategoritë
BotaLajme