Ivan Iliev ishte koka e grupit të spiunëve rusë të arrestuar në Bullgari

Në konferencën për media të organizuar nga Prokuroria bullgare, në lidhje me arrestimin e gjashtë shtetasve bullgarë të dyshuar për spiunazh, u mësua se udhëheqës i grupit të spiunëve rusë ishte Ivan Iliev.

Ivan Iliev, është ish-oficer i lartë i Shërbimit inteligjent ushtarak bullgar, i cili gjatë shërbimit në inteligjencën ushtarake kishte edhe pozita të larta drejtuese.

Iliev ka të kryer Akademinë ushtarake në Bullgari si dhe specializimi për inteligjencë jashtë vendit. Vlen të ceket se Iliev kishte kryer specializime për inteligjencën ushtarake edhe në Rusi, në Institutin e Shërbimit inteligjent ushtarak rus (GRU).

Iliev ishte i martuar me një shtetase ruse, e cila kishte edhe shtetësi të Bullgarisë. Gruaja e Iliev, e cila kishte raporte të mira me diplomatet e Ambasadës ruse në Sofje dhe besohet të jetë një ndër motivet kryesor të regrutimit të Iliev, nga GRU-ja ruse.

Iliev drejtonte grupin prej gjashtë spiunëve rusë, ku katër nga ta siguronin informacione inteligjente me rëndësi për GRU-në, ndërsa personi i pestë, gruaja e Iliev e kryente rolin e postierit, pasi që si shtetase ruse e kishte me lehtë të hynte në objektin e Ambasadës ruse dhe të mos dyshohej.

Në foton e lëshuar nga prokuroria shihet gruaja e Iliev duke hyrë në Ambasadën ruse në Sofje.

Pjesëtarët e grupit të Iliev ishin të trajnuar dhe kishin njohuri se si duhet të sigurohen informacionet konfidenciale dhe të mos dekonspirohen. Pjesëtarët e grupit ishin trajnuar dhe kishin marr instruksione edhe nga vet Iliev, i cili kishte përvojë të madhe në shërbimin inteligjent ushtarak.

Detyrat e tyre grupit ishin që të mblidhnin informacione të klasifikuara për Bullgarinë, NATO-n dhe BE-në. Katër nga pjesëtarët e grupit për shkak të pozitave të tyre kishin qasje në informacione të klasifikuar që ishin me interes për Shërbimin inteligjent ushtarak rus.

Një nga pjesëtarët e arrestuar ishte menaxher i sistemeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë.

Pjesëtari i dytë nga grupi i të arrestuar është oficer aktiv i Shërbimit inteligjent ushtarak bullgar dhe kishte të bënte me përgatitjen e informacioneve për kundërveprimin ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve hibride, përfshirë edhe Rusinë.

Pjesëtari i tretë i grupit ishte gjithashtu pjesëtarë aktiv i Shërbimit inteligjent ushtarak bullgar, i cili kishte shërbyer disa herë në misione jashtë shtetit, si pjesë e kontingjenteve të Ushtrisë bullgare.

Prokuroria njofton se pjesëtari i katërt i grupit të arrestuar është drejtor i regjistrit për informacione të klasifikuar në Asamblenë Kombëtare Bullgare. Bazuar në pozite tij si drejtor, mediat njoftojnë se i arrestuari duhet të jetë Lubomir Medarov, pasi që ai e mbanë pozitën të cilës i referohet prokuroria. Medarov në të kaluarën kishte qenë oficer i Inteligjencës ushtarake dhe kishte punuar si sekretar dhe atashe ushtarak në misione diplomatike jashtë vendit.

Ivan Iliev mbante takime të rregullta me katër informatorët e tij, takime të cilat organizoheshin çdo muaj në datë, orë dhe vend të para caktuar. Në rast që kishin dyshime për sigurinë takimet anuloheshin dhe për takimin e ri ekzistonte edhe data, ora dhe vendi rezervë ku do të duhej të kryhej takimi i anuluar.

Prokuroria bullgare njofton se një nga gjashtë të arrestuarit kishte tentuar të arratisej dhe ishte kapur pranë ndërtesës së Ambasadës ruse, ku mendohet se kishte dashur të ikte.

Prokuroria ka njoftuar se kundër pesë të ndaluarve është shqiptuar masa e ndalimit prej 72 orë dhe besohet se prokuroria do të kërkoj që ndaj gjatë të arrestuarve të caktohet masa e paraburgimit deri në fillimin e procesit gjyqësorë.

Prokurori i Apelit ushtarak, Elin Aleksov, ka shpjeguar se grupi kishte qenë aktiv për kohë të gjatë dhe të arrestuarit do të akuzohen për “Spiunazh dhe krime të rënda të paramenduara kundër sigurisë kombëtare”. Sipas prokurorit, të dyshuarit kishin mbledhur sekrete teknologjike dhe ushtarake, duke dëmtuar seriozisht interesin shtetërorë të Bullgarisë.

Prokuroria gjithashtu njofton se një nga të arrestuarit për shkak të bashkëpunimit gjatë hetimeve është lënë i lirë me kusht.

Ky është rasti i parë i zbuluar deri më tani, i spiunazhit të shtetasve bullgarë, të cilët kryenin aktivitete spiunazhi kryer kundër Ushtrisë bullgare, në interes të Rusisë.

Vlen të ceket se gjatë 18 muajve të fundit Bullgaria ka dëbuar gjashtë spiunë rusë, të cilët kishin imunitet diplomatik pasi që kryenin aktivitete spiunazhi nën mbulesën e diplomatit. Spiunet e dëbuar rusë kishin punuar në shtrirjen e rrjetit të informatorëve dhe besohet se grupi i arrestuar i shtetasve bullgarë të ketë lidhje me ndonjërin nga spiunet e dëbuar rus.

Kategoritë
BotaLajme