Ivanji: Kthesa e Serbisë kah Perëndimi ka nisur

Publicisti e gazetari i njohur serb, Ivan Ivanji, ka thënë se Serbia ka nisur një kthesë në politikën e jashtme të saj dhe të mos e vazhdojë lojën “si me Brukselin, si me Moskën”.

Në një shkrim për “Deutsche Wellen”, Ivanji ka thënë se Serbia ka pasur nevojë për mbështetje të Rusisë prej shekujsh. Sipas tij, megjithatë, paratë e shumëdëshiruara në Serbi shkojnë nga Perëndimi, kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Ivanji ka thënë se “kthesa” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka nisur pasi presidenti rus, Vladimir Putin, bëri analogji mes shpalljes së pavarësisë së Luhanskut e Donetskut në Ukrainë me të Kosovës. Përkthyesi i Titos ka thënë se Serbia do ta bëjë kthesën me “dhimbjen se Putini e ka tradhtuar Serbinë”.

“Mediat e nënshtruara ndaj Vuçiqit kanë filluar të përgatisin kthesën në politikën e jashtme të presidentit: Pasi Putini e krahasoi shpalljen e pavarësisë të ‘Republikave popullore’ Luhansk dhe Donetsk me njohjen e Kosovës si shtet sovran nga vendet perëndimore – por që Serbia e konsideron si provincë të saj – mediat serbe e akuzuan atë se po mbështet shkëputjen e ‘djepit të Serbisë’ nga trungu i saj. Unë mendoj që Serbia do të bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë. Por kjo pas viteve të propagandës pro-ruse do t’i shitet popullsisë serbe se kjo po ndodh prej kthesës në politikën e jashtme nën presion dhe me dhimbje të madhe – sepse Putini e ka tradhtuar Serbinë. Në rast se Serbia bashkohet me sanksionet kundër Rusisë, ruset dhe rusët nuk do ta ndiejnë aspak, por bujqve serbë do t’u mbeten të korrat në dorë, që zakonisht i shesin në Rusi”, ka shkruar ai.

Ivanji s’pret që qëndrimi i Perëndimit ndaj Serbisë të ndryshojë në favor të Vuçiqit. Ka ndërlidhur këtë mendim me vizitën që Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bënë në Gjermani, me ftesë të kancelarit Olaf Scholz.

“Një sinjal presidenti i Serbisë e mori gjatë vizitës në Berlin më 4 maj 2022, ku kryeministri i Kosovës u prit njëkohësisht me të njëjtat nderime, si dhe ai. Një mesazh i qartë ky: në sytë e Republikës Federale të Gjermanisë Kosova dhe Serbia janë shtete të barazvlefshme. Sikur të mos mjaftonte kjo, Kurti dhe Vuçiq, që në fakt nuk donin ta takonin njeri-tjetrin u detyruan të marrin pjesë në një darkë jo zyrtare me të ngarkuarin e BE-së për Ballkanin. Ata u ulën në një tryezë të rrumbullakët të shtruar bukur duke vështruar miqësisht përpara kamerave. Asgjë nuk doli nga ky takim. Të ngarkuarit e Beogradit dhe të Prishtinës do të vazhdojnë bisedimet më 13 maj në Bruksel. Por ky gjest do t’u ngulitet në kujtesë të dy politikanëve”, ka shkruar më tej ai.

Ivanji ka thënë se Serbia tash duhet ta njohë zyrtarisht Kosovën si të pavarur dhe të mos e pengojë anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata tjera ndërkombëtare.

“Me këtë Evropa do t’i afrohej së paku një hap të vogël bashkimit të saj paqësor – një sinjal i rëndësishëm ky në një moment historik, në të cilin 77 vjet pas Luftës së Dytë Botërore po gjëmon sërish një luftë e re në kontinentin e vjetër”, ka shkruar Ivanji.

Ivanji ka shprehur mendimin e tij se çka do të bënte Josip Broz Tito po të ishte tash lider. Sipas tij, ai do të dënonte pushtimin rus të Ukrainës e do t’i vinte sanksione Moskës.

Kategoritë
LajmeRajoni