Izraeli dhe Maroku nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ushtarak

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua gjatë një vizite të një delegacioni ushtarak izraelit në Marok

Ushtria izraelite ka njoftuar nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për bashkëpunim ushtarak me Marokun, transmeton Anadolu Agency (AA).

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua gjatë një vizite të një delegacioni ushtarak izraelit në Marok.

Sipas gazetës “Times of Israel”, delegacioni i ushtrisë izraelite kryesohej nga zyrtari ushtarak i ngarkuar për çështjet e Iranit, Tal Kelman dhe komandanti i bashkëpunimit ndërkombëtar i ushtrisë, njëherësh komandant i Divizionit të Operacioneve të Drejtorisë së Inteligjencës së ushtrisë, emri i të cilit nuk u dha.

Ushtria izraelite njoftoi se tre zyrtarë të lartë të ushtrisë u takuan në Rabat me homologët e tyre të Marokut, përfshirë shefin ushtarak të Marokut, Belkhir El Faruk.

“Zyrtarët diskutuan lidhjen historike dhe kulturore midis vendeve dhe interesat e ndërsjella në Lindjen e Mesme dhe shprehën dëshirën e tyre për të promovuar bashkëpunimin e gjerë ushtarak”, thuhet në njoftim.

Ushtria tha se kjo vizitë ishte e para për ushtrinë izraelite në Marok.

Nga autoritetet e Marokut nuk kishte asnjë koment zyrtar për vizitën.

Më 10 dhjetor të vitit 2020, të dy vendet njoftuan rifillimin e marrëdhënieve diplomatike pasi ato u pezulluan në vitin 2000 pas shpërthimit të Intifadës së Dytë Palestineze.

Maroku ishte vendi i katërt arab që ra dakord për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin në vitin 2020 pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Sudanit.

Kategoritë
BotaLajme