Izraeli i shqetësuar nga qëllimi i SHBA për heqjen e Gardës Revolucionare të Iranit nga lista e organizatave terroriste

Kryeministri izraelit, Bennett tha se janë të shqetësuar nga qëllimi i SHBA-së për të hequr Gardën Revolucionare të Iranit nga lista e organizatave terroriste.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett tha se janë të shqetësuar nga qëllimi i SHBA-së për të hequr Gardën Revolucionare të Iranit nga lista e organizatave terroriste.

Në një fjalim në takimin javor të kabinetit qeveritar, Bennett foli për negociatat bërthamore që vazhdojnë me Iranin në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, ku ai theksoi: “Jemi shumë të shqetësuar nga qëllimi i SHBA-së për t‘iu përkulur kërkesës së shëmtuar të Iranit dhe për të hequr Gardën Revolucionare të Iranit nga lista e organizatave terroriste”.

Duke pretenduar se Garda Revolucionare është “organizata terroriste më e madhe dhe më e përgjakshme në botë”, Bennett tha: “Edhe vendet e tjera, si aleatët e SHBA-së në rajon përballen çdo ditë me këtë organizatë. Vitet e fundit kanë lëshuar raketa ndaj vendeve paqësore, kanë lëshuar dronë ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera”.

Kryeministri izraelit tha se vendi i tij nuk do t’u përmbahet marrëveshjeve që vendet e tjera do të arrijnë me Iranin. “Fatkeqësisht ka vendosmëri për të nënshkruar marrëveshjen bërthamore me Iranin pothuajse me çdo kusht. Në këtë përfshihet edhe që të thuhet se organizata më e madhe terroriste në botë nuk është organizatë terroriste. Ky është një çmim i madh”, tha Bennett.

Ai tha se edhe nëse merret një vendim i tillë fatkeq, shteti i Izraelit do të vazhdojë që Gardën Revolucionare ta trajtojë si organizatë terroriste dhe të veprojë kundër saj si ashtu sikur bën me organizatat e tjera terroriste. “Ashtu si gjithmonë të ardhmen tonë do ta përcaktojmë me veprat tona dhe jo me fjalë”, tha Bennett.

Në kuadër të negociatave që zhvillohen në Vjenë, synohet heqja e sanksioneve ndaj Iranit dhe rinovimi i marrëveshjes.

Në mediat ndërkombëtare janë paraqitur lajme se si rezultat i negociatave SHBA-ja mund të heqë Gardën Revolucionare të Iranit nga lista e organizatave terroriste.

Kategoritë
BotaLajme