Izraeli ndalon hyrjen e meshkujve të moshave 12-40-vjeç në Xhaminë Al-Aksa

Izraeli ndaloi hyrjen në Xhaminë Al-Aksa për meshkuj të moshave 12-40-vjeç në Bregun e pushtuar Perëndimor për të falur namazin e xhumasë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sipas deklaratës së bërë nga zëdhënësi i Njësisë për Koordinimin e Aktiviteteve Qeveritare në Territoret Palestineze (COGAT) të ushtrisë izraelite, në mbledhjen ku morën pjesë ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite Aviv Kohavi dhe zyrtarë të lartë të sigurisë u përcaktuan kushtet për adhurim në Kompleksin Al-Aksa për palestinezët gjatë muajit të Ramazanit.

Bëhet e ditur se gratë palestineze që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, fëmijët nën 12-vjeç dhe burrat palestinezë mbi moshën 50-vjeç mund të vijnë në Jerusalemin Lindor të pushtuar pa leje për t’u falur në Xhaminë Al-Aksa të premteve. Ndërkaq burrave palestinezë të moshës 40-50-vjeç u kërkohet të marrin leje të posaçme për të ardhur në Xhaminë Al-Aksa për t’u falur.

Gjithashtu thuhet se palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar mund të vizitojnë familjet e tyre të ngushtë në Jerusalemin Lindor të pushtuar ose ata që jetojnë në Izrael midis të dielës dhe të enjtes.

Palestinezëve që jetojnë në Bregun e pushtuar Perëndimor u nevojitet leje e posaçme për të vizituar vendet e shenjta si Kompleksi Al-Aksa që ndodhet në Jerusalemin Lindor të pushtuar matanë murit të sigurisë të ngritur nga Izraeli dhe të afërmit e tyre në territoret izraelite.

Që palestinezët të dalin nga Bregu i pushtuar Perëndimor ata duhet të përdorin njërën nga 23 pikat e kontrollit të ngritura përgjatë murit të sigurisë.

Izraeli është i shqetësuar nga përshkallëzimi i tensionimit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor me fillimin e Ramazanit.

Kategoritë
BotaLajme