Izraeli refuzon kërkesën e Ukrainës për të blerë sistemin mbrojtës “Kupola e Hekurt”

Tel Avivi është i kujdesshëm që të mos përfshihet në konflikt sepse “vendosja e Rusisë në Siri do të thotë që të dy vendet në fakt ndajnë një kufi”, pretendon autori izraelit Nadav Eyal.

Gazetari dhe autori i njohur izraelit, Nadav Eyal, pretendon se Izraeli ka refuzuar që t’ia shesë Izraelit sistemin e mbrojtjes raketore Kupola e Hekurt (Iron Dome), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një kolumnë të shkruar për të përditshmen izraelite Yedioth Ahronoth, Eyal tha se refuzimi i Izraelit për të furnizuar Ukrainën me teknologji është për të shmangur zemërimin e Rusisë.

“Në përpjekje për të shmangur me çdo kusht përfshirjen izraelite në krizën midis Rusisë dhe Ukrainës, Izraeli refuzoi t’i shiste Kievit sistemin e mbrojtjes raketore Kupola e Hekurt për të mos i zemëruar rusët”, shkruan autori i librit “Revoltë: Kryengritja botërore kundër globalizimit” (Revolt: The Worldwide Uprising Against Globalization).

Tel Avivi është i kujdesshëm që të mos përfshihet në konflikt sepse “vendosja e Rusisë në Siri do të thotë që të dy vendet në fakt ndajnë një kufi”, shkruan ai.

Ukraina fillimisht paraqiti kërkesën e saj në SHBA pasi sistemi i mbrojtjes “u zhvillua bashkërisht nga Izraeli me Pentagonin”, shtoi Eyal.

“Kievi filloi një fushatë presioni ndaj ligjvënësve në Washington për të lehtësuar një marrëveshje. Ukrainasit gjithashtu zyrtarisht kërkuan nga SHBA të vendosë sistemet raketore amerikane Patriot dhe Kupola e Hekurt në territorin e tyre pranverën e kaluar, përpara se një pushtim rus të bëhej një mundësi reale”, pretendon gazetari.

Megjithatë, marrëveshja midis dy aleatëve “nuk lejon shitjen e teknologjisë palëve të treta pa pëlqimin e ndërsjellë”, shtoi ai.

Përkundër kësaj, disa anëtarë të Kongresit “kanë përfshirë një amendament të bashkangjitur në projektligjin e mbrojtjes të vitit 2022 që do të bënte presion ndaj Shtëpisë së Bardhë për të shitur ose transferuar sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore në Ukrainë, duke përfshirë Kupolën e Hekurt”, pretendon Eyal, duke shtuar se situata e vendos Izraelin në një “pozicion të komplikuar”.

Izraeli “mund të refuzojë kërkesën e SHBA-së për të furnizuar Ukrainën me teknologjinë, ose të rrezikojë konfrontimin me Rusinë”, shkruan ai.

Izraeli përdori sistemin mbrojtës Kupola e Hekurt për të ndaluar raketat me rreze të shkurtër dhe raketat e lëshuara nga grupet e rezistencës palestineze nga Rripi i Gazës majin e kaluar.

Tensionet midis Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit janë përshkallëzuar kohët e fundit për shkak të një pushtimi të mundshëm të Ukrainës nga Rusia.

Moska, sipas zyrtarëve ukrainas, kohët e fundit ka grumbulluar më shumë se 100.000 trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.

Rusia ka mohuar se po përgatitet për pushtim dhe ka akuzuar vendet perëndimore për rrezikimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve rusë.

Kategoritë
BotaLajme