“Izraeli shkatërroi varrezat në Gaza në sulmet e fundit ajrore”

“Nuk e di pse të vdekurit ishin shënjestruar në varret e tyre dhe cili është faji i tyre”, tha Nasrallah, duke shtuar se varrezat janë të vendosura në mes të lagjeve civile, ku ndodhen varre të njerëzve që vdiqën edhe para themelimit të Izraelit.

Sulmet e fundit ushtarake izraelite në Rripin e Gazës në Palestinë që zgjatën për 11 ditë nuk kursyen as të vdekurit të varrosur në varreza të ndryshme, përveç se lanë një gjurmë vdekjeje dhe shkatërrimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria Palestineze e Vakëfeve Fetare ka identifikuar të paktën gjashtë parcela varrezash në Rripin e Gazës që janë dëmtuar nga sulmet ushtarake.

Që kur armëpushimi hyri në fuqi më 21 maj, familjet në Gaza janë dyndur në varreza për të rindërtuar varret e të dashurve të tyre. Në disa raste, ata i kanë transferuar kufomat në varreza të tjera, pasi varret ishin shkatërruar deri në atë masë që nuk mund të riparoheshin.

“Në natën e 14 majit që përkoi me ditën e dytë të Fitër Bajramit, varrezat u vunë në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite duke shkaktuar shkatërrim masiv në të gjitha cepat e varrezave”, tha Khaled Nasrallah, roja i varrezave në lagjen Al-Shejaia, në lindje të qytetit të Gazës.

Ai tha se më shumë se 200 varre u dëmtuan plotësisht ndërsa dhjetra të tjerë u shkatërruan pjesërisht, si dhe ndërtesat e banimit ngjitur me varrezat.

Ato varreza të shkatërruara plotësisht nuk kanë asnjë gjurmë të mbetjeve mortore të të vdekurve, tha Nasrallah.

I befasuar nga motivi i Izraelit në shënjestrimin e varrezave, Nasrallah tha se sulmet nuk lanë “asnjë vend të sigurt në Gaza gjatë agresionit izraelit”.

Nasrallah tha se vetëm urrejtja mund të shpjegojë arsyen pas shënjestrimit të varrezave.

“Nuk e di pse të vdekurit ishin shënjestruar në varret e tyre dhe cili është faji i tyre”, tha Nasrallah, duke shtuar se varrezat janë të vendosura në mes të lagjeve civile, ku ndodhen varre të njerëzve që vdiqën edhe para themelimit të Izraelit.

Nasrallah tha se familjet palestineze të dashurit e të cilëve janë varrosur në varrezat Al-Tunisi ishin të shpejtë për të filluar kërkimin për eshtrat menjëherë pasi mbaroi agresioni.

“Kush i gjeti eshtrat dhe mbetjet mortore të të vdekurve të tij, i zhvendosi ato dhe i varrosi në një varrezë tjetër për të ruajtur ato që kishin mbetur prej tyre”, tha ai.

Mbetjet mortore u përzien

Megjithatë, disa familje, për fat të keq, nuk gjetën asnjë prej eshtrave të të dashurve të tyre pasi bombardimet e mëdha nuk kishin lënë asnjë gjurmë.

I pyetur në lidhje me përpjekjet për të rindërtuar varret dhe për të rivarrosur eshtrat, Nasrallah tha se ishte e pamundur pasi eshtrat e të vdekurve janë përzier.

Tensioni u përshkallëzua në të gjitha territoret palestineze që nga prilli lidhur me një vendim të gjykatës izraelite për të dëbuar familjet palestineze nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah në Kuds, në favor të kolonëve hebrenj. Situata u ndez pasi forcat izraelite bastisën xhaminë Al-Aksa dhe sulmuan adhuruesit brenda saj.

Tensioni u përhap edhe në Rripin e Gazës, me Izraelin që filloi sulmet ajrore që vranë të paktën 290 palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra, dhe la pas një gjurmë shkatërrimi. Qendrat shëndetësore, zyrat e medias, si dhe shkollat ishin midis strukturave të shënjestruara.

Armëpushimi i arritur në orët e para të 21 majit i dha fund bombardimeve 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme