“Jam për familjen tradicionale”, Agim Veliu deklarohet rreth Projektkodit Civil që hap rrugë për martesat e gjinisë së njëjtë

Në seancën e Kuvendit, e cila pritet të mbahet sot, parashihet të ketë debat parlamentar lidhur me Projektkodin Civil, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkaq, tema e cila ndezi më së shumti debat lidhur me këtë Projektkod Civil është kapitull i martesës, që u hap rrugë martesave mes personave të së njëjtës gjini.

E, ditë më parë kjo nismë ligjore nga Ministria e Drejtësisë, u aprovua në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, ku më pas erdhi në rend të ditës në seancën plenare të shkurtit.

Përplasje qëndrimesh rreth kësaj teme kemi parë tek grupi parlamentar i LVV, ku janë ndarë në dy grupe lidhur me këtë nismë, ata pro dhe kundër. Derisa, AAK-ja ka dalë me qëndrim kundër këtij projekt-kodi civil.

Nga ana tjetër, kundër po del të jetë edhe një deputet i LDK-së. Agim Veliu në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se rreth kësaj nisme ligjore ka mendim traditcional rreth martesës.

“Sa i përket kësaj nisme, kam mendim tradicional. Jam për familjen tradicionale dhe e përkrahi si të tillë”, tha ai për Reporteri.net.

Deputeti Veliu ka nënkuptuar kështu se nuk do ta mbështes një nismë të tillë, pasi që familja tradicionale përfshin bashkimin e burrit dhe gruas, e cila rezulton në pasardhës.

Gazeta Online Reporteri.net. e kanë kontaktuar edhe deputetin nga radhët e LVV, Eman Rrahmani, emri i të cilit u përmend si kundërshtues e këtij projekt kodi civil i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila udhëhiqet nga bashkëpartiakja e tij Albulena Haxhiu.

Megjithatë, Rrahamani ka thënë se qëndrimin e tij lidhur me Projektkodin civil do ta kuptojmë në seancën e sotme ku pritet shqyrtimi i tij.

Projektkodi civil është kundërshtuar edhe nga bashkësitë fetare në Kosovë, të cilat kanë dalë para disa ditësh me një deklaratë të përbashkët kundër votimit të tij siç është në Kuvend. /Reporteri.net/.

Kategoritë
LajmeVendi