Japoni, mbahet ceremoni përkujtimore në 76-vjetorin e hedhjes së bombës atomike në Nagasaki

“Si vendi i vetëm që është përballur me bombat atomike, Japonia ka vizion të pandryshueshëm që komuniteti ndërkombëtar të ecë hap pas hapi drejt idealit për një botë të pastruar nga armët bërthamore”, tha kryeministri japonez në ceremoni.

Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, tha se vendi i tij mbart vizionin e lidershipit që komuniteti ndërkombëtar të arrijë idealin e tij për një “botë të pastruar nga armët bërthamore”.

Në Monumentin e Paqes në qytetin Nagasaki u mbajt një ceremoni përkujtimore me rastin e 76-vjetorit, kur qyteti japonez u bombardua më 9 gusht gjatë Luftërave të Paqësorit në Luftën e Dytë Botërore.

Ceremonia filloi me një minutë heshtje në orën 11:02 me orën lokale, ora kur u lëshua bomba në qytet.

Në një fjalim të mbajtur në ceremoni, kryeministri Suga u shpreh: “Si vendi i vetëm që është përballur me bombat atomike, Japonia ka vizion të pandryshueshëm që komuniteti ndërkombëtar të ecë hap pas hapi drejt idealit për një botë të pastruar nga armët bërthamore”.

Suga theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë aktivitetet për ndihmë gjithëpërfshirëse ndaj viktimave të bombës bërthamore që njihen si “hibakusha” dhe se gjithashtu qeveria e tij do të vazhdojë bashkëpunimin me aktivistët e çarmatosjes nga armët bërthamore.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dërgoi mesazh në ceremoninë ku ai nuk mundi të marrë pjesë për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).

Guterres deklaroi se “OKB-ja u ndërtua me qëllim për të parandaluar fatkeqësinë e luftës. Në drejtim të këtij qëllimi, është detyrë e të gjitha shteteve anëtare që të punojnë për eliminimin e armëve më vdekjeprurëse të prodhuara deri më sot”.

Ndërkohë, edhe kryetari i Bashkisë Nagasaki, Taue Tomihisa, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ngrejë zërin kundër rreziqeve të armëve bërthamore.

“Për një botë të pastruar nga armët bërthamore, liderët duhet t’i përmbahen qëllimit për pakësimin e këtyre armëve. Edhe shoqëria civile duhet të inkurajojë liderët në këtë drejtim”, tha Taue.

Kategoritë
BotaLajme