Javën tjetër shqyrtohen masat anti-Covid, këto mund të jenë ndryshimet

Me përmirësimin e gjendjes me pandeminë Covid-19, Ministria e Shëndetësisë nga java e ardhshme do të bëj rishqyrtimin e masave. Me këtë rast kërkohet që të hiqet ora policore, të zgjatet orari i gastronomisë, të mos përdoret maska kur një person ecën vetëm e të lejohen ahengjet.

Vetëm një rast të infektuar me Covid-19 ka regjistruar Kosova dje nga testimi i mbi 1 mijë mostrave. Shifër e ulët e rasteve të reja të infektuara me virus është regjistruar edhe sot e ditëve të kaluara, krahasuar me muajt që lamë pas.

Andaj, me përmirësimin e gjendjes me pandeminë Covid-19 në vend, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që gjatë javës së ardhshme t’i rishqyrtojë masat Anti-Covid.

Zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se çfarëdo mase që do të merret do të bazohet në vlerësimin e situatës dhe rekomandimet nga institucionet relevante.

“Pas përmirësimit të situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19 dhe analizës së rregullt të kësaj situate, pritet që javën tjetër të bëhet rishqyrtimi i masave Anti-Covid-19. Çfarëdo mase që do të merret do të bazohet në vlerësimin e situatës dhe rekomandimeve që vijnë nga institucionet relevante”, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva po kërkon që me përmirësimin e gjendjes me pandeminë të hiqet ora policore, të zgjatet orari i punës për gastronominë-hotelierinë dhe të filloj mbajtja e ahengjeve, përfshirë këtu edhe dasmeve.

Ai ka deklaruar se ahengjet duhet të fillojnë të mbahen, por që duhet të ketë kontrolle e të mos lejohen të pavaksinuarit.

“Kërkesat primare tani janë që ne do të kërkojmë zgjatjen e orarit për gastronomi-hotelieri dhe heqjen e orës policore. Këto dyja nuk kanë më kuptim. E treta është edhe fillimi i mbajtjes së ahengjeve, për mos të thënë dasmave nëse ka tek këtu ndonjë, por normalisht me kontroll. Klientët që hyjnë kudoqoftë të pavaksinum, me rezultate negative mos me qenë”, ka thënë ai.

Sogojeva është shprehur se kërkesat e tyre i kanë drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë para dy ditëve, por që ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ai ka thënë se nëse nuk marrin përgjigje edhe më tej, do të gjejnë forma tjera për t’i adresuar ato.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Asociacionit të Komunave në Kosovë, Sazan Ibrahimi ka thënë se pasi që situata me pandeminë është përmirësuar janë plotësuar kushtet që të hiqet ora policore e që personat që ecin vetëm të mos bartin më maskë.

Megjithëse, ai ka ftuar qytetarët që të imunizohen në mënyrë që sa më shpejt të lirohemi nga masat në tërësi dhe t’i kthehemi jetës normale.

“Ne mendojmë që gjatë kësaj jave duhet të zhvillohet takimi me nivelin qendror ku kërkesat janë që pasi që situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm, që janë plotësuar kushtet që ora policore të hiqet, e sidomos personat që ecin vetëm mos ta bartin maskën se edhe në rajon po shohim që na ambiente të jashtme bartja e maskës nuk është e obligueshme”, ka thënë ai.

Ibrahimi është shprehur se në takimet e fundit që kanë mbajtur me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, u është thënë se do të shqyrtohen seriozisht kërkesat e tyre, përfshirë edhe heqja e orës policore.

“Ne në baza dy javore e kemi takimin. Shpresojmë që situata do të jetë kështu. Në takimin e fundit që e kemi pasur me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë na ka premtuar që kërkesat e komunave do të shqyrtohen seriozisht dhe besojmë që ka ardhur koha për ndërmarrjen e këtyre hapave. Shkolla s’ka trend të rritjes të infektimeve që është pozitive e po shihet edhe pse kemi pas fushatë parazgjedhore numri i të infektuarve nuk po rritet”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që së fundmi ka rënë numri i rasteve të infektuara me Covid-19. Derisa vendi regjistronte qindra e edhe mijëra raste të reja me këtë virus, dje pas një kohe të gjatë në vend ka rezultuar pozitiv me koronavirus vetëm një rast.

Kategoritë
LajmeVendi