Jep dorëheqje Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri

Ky vendim i Zekirit vijon pasi Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut hapi hetim kundër tij dhe dy shtetasve kroatë.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, njoftoi se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti.

Zekiri këtë e konfirmoi përmes postimit në profilin e tij në Facebook.

“I nderuar kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski. Gjatë karrierës sime gjithmonë kam zgjedhur rrugën e vërtetë, rrugën e ndershmërisë, te drejtës dhe të vërtetës. Andaj duke qëndruar mbi këto vlera të jetës sime të cilave do t’u mbetem besnik, jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i Sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shkroi Zekiri.

“Besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do dal në shesh. Të gjitha institucioneve ju qëndroj në dispozicion në çdo kohë për të dëshmuar pafajësinë time”, theksoi ai.

“I nderuari kryeministër, ju faleminderit për mundësin e dhënë të jem pjesë e përbërjes tuaj qeveritare dhe ju faleminderit që besuat në angazhimin dhe përkushtimin tim në punë”, shtoi Zekiri.

Ky vendim i Zekirit vijon pasi Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut hapi hetim kundër tij dhe dy shtetasve kroatë.

Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit njoftoi se është lëshuar urdhër për hetim kundër dy shtetasve kroatë dhe një zyrtari të lartë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, i cili është i dyshuari i parë dhe se nga Gjykata kanë kërkuar t’u shqiptojë masën e paraburgimit.

Zyrtari qeveritar dyshohet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare me ç’rast është bërë dëm në buxhetin për pothuajse 800 mijë euro.

“Në periudhën prej prillit të vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, me shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare, i dyshuari i parë pa zbatuar procedurë adekuate për furnizim publik, ka lidhur marrëveshje për shërbime konsultative me një person juridik, në çka me paramendim i ndihmuan shtetasit të dyshuar kroat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kategoritë
LajmeRajoni