Jeta e re e shtetasve afganë në Shqipëri

Shtetasit afganë kanë nisur tashmë një jetë të re në Shqipëri, ndërsa ata qëndrojnë bashkë me familjet e tyre teksa shëtisin në ambientet e caktuara në Qytetin Studenti, ndërkohë fëmijët iu gëzohen lojërave mes tyre.

Marrja e Afganistanit nën kontroll nga talebanët shkaktoi një largim masiv të qytetarëve afganë të cilët kryesisht kishin punuar në administratën shtetërore, ishin angazhuar në organizata të ndryshme joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore apo ishin studentë dhe punonjës të mediave.

Pjesë e shteteve që mirëpritën shtetasit afganë për strehim të përkohshëm ishte edhe Shqipëria, e cila deri tani ka pritur qindra afganë që janë vendosur në godinat konviktore në Qytetin Studenti në Tiranë dhe në hotele në Durrës dhe Lezhë.

Afganët nisin jetën e re në Shqipëri

Shtetasit afganë kanë nisur tashmë një jetë të re në Shqipëri, ndërsa ata qëndrojnë bashkë me familjet e tyre teksa shëtisin në ambientet e caktuara në Qytetin Studenti, bashkëpunojnë në rast nevoje me autoritetet shqiptare për regjistrimin e tyre apo procedura të tjera, ndërkohë fëmijët iu gëzohen lojërave mes tyre.

 

 

Në mesin e qindra afganëve të strehuar në Tiranë është edhe 32-vjeçari Aziz Koshan, i cili në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tregon për punën tij në Afganistan, jetën e re në Shqipëri, si dhe planet për të ardhmen.

Ai i cili në Shqipëri ka ardhur së bashku me bashkëshorten e tij tregon se në Afganistan ka punuar si hulumtues në një organizatë joqeveritare për çështje të ndryshme.

“Përgatisja vajzat e reja se si të shkruanin punime kërkimore dhe si të merrnin pjesë në hartimin dhe diskutimin e politikave. Po punoja gjithashtu me qeverinë afgane në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, shprehet Koshan mbi angazhimin në vendin e tij.

Në lidhje me jetën e nisur tashmë në Shqipëri ai ndër të tjera shprehet se “Ne kemi zbuluar shumë këtu. Tani për tani ne jemi këtu në një lëvizje shumë të kufizuar, por që njerëzit janë shumë të dashur. Ne kemi disa vështirësi gjuhësore, por është mirë. Epo kjo është e mahnitshme, njerëzit janë shumë të dobishëm”.

Ai angazhohet edhe me çështjet administrative rreth akomodimit të tyre, duke ndihmuar edhe përfaqësues të autoriteteve shqiptare, në plotësimin e formularëve, përkthim, regjistrimet në polici, ndërsa kohën e lirë e kalon në biseda me të afërmit.

“Ne kemi plotësuar formularin e azilit për në SHBA dhe Kanada dhe shpresojmë ta marrim atë. Ne shpresojmë të arrijmë në Kanada ose në SHBA dhe ndoshta të jetojmë atje deri në fund të jetës sonë”, tregon Koshan. Ai thekson se deri tani nuk kanë në plan të qëndrojnë në Shqipëri ose të kërkojnë azil.

Bashkë me Aziz në Shqipëri ka ardhur edhe bashkëshortja e tij, Fatima Ibrahimi, e cila edhe është 31-vjeçe. Ajo tregon se në Afganistan ka punuar me çështjet financiare në administratë, ndërsa thekson se duhej të largoheshin nga vendi i tyre për shkak të kaosit të krijuar.

 

 

“Në Shqipëri ndihem shumë mirë, e sigurt dhe këtu është një vend i mirë. Unë nuk mendoj se do të qëndroj këtu sepse nëse jetoj këtu më duhet të mësoj gjuhën, por është shumë e vështirë për mua sepse jam 31-vjeç dhe nuk kam kohë të mësoj gjuhën, kështu që preferoj të jetoj në Kanada ose SHBA. Gjithashtu ne kontaktojmë familjen tonë përmes Facetime sepse jemi të shqetësuar për ta. Unë jam këtu vetëm me burrin tim”, tregon Fatima.

“Në Shqipëri po ndihem i qetë dhe po jetoj një jetë të mirë”

Eisa Siddiqi, 16-vjeç, ishte nxënës i një shkolle të mesme në Afganistan para largimit, ndërsa tashmë ndërpreu studimet e tij për të vazhduar përkohësisht një jetë të re në Shqipëri. Ai ka ardhur në Shqipëri së bashku me familjen e tij, babain, nënën, motrën dhe vëllain, duke u përshtatur me jetën e re në kryeqytetin e Shqipërisë.

 

 

“Në Shqipëri po ndihem aq komod, i qetë dhe po jetoj një jetë të mirë. Në Afganistan nuk kishim shumë hobi. Tani është koha për të gjetur disa hobi dhe për të bërë miq për disa muaj dhe pastaj të shkoj në Kanada ose SHBA për të vazhduar shkollimin tim. Unë jam duke vizituar të tjerët(afganët) dhe duke lexuar libra”, u shpreh Siddiqi për AA.

Në mesin e shtetasve afganë të strehuar në Qytetin Studenti në Tiranë, është edhe 30-vjeçari Mohammad Tamim Raiskhail. Ai tregon se ka punuar si pjesëtar i forcave të sigurisë në Afganistan dhe qëndrimi atje sipas tij do të ishte një rrezik për familjen e tij.

Delawar Delawar, 35-vjeç, është një tjetër qytetar nga Afganistani, i cili ka lindur në Konduz. Ai i cili nuk dëshironte të fliste para kamerës tregoi se është përshtatur shpejt me jetën e re dhe është në pritje të përfundimit të procedurave për të emigruar përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Teksa shikon buzëqeshjen në fytyrat e tyre, afganët i gëzohen jetës së re në kryeqytetin e Shqipërisë, por edhe në qytete të tjera të vendit, në pritje të vendimit për të udhëtuar drejt destinacionit final të tyre.

Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare, si policia dhe institucionet e tjera të sigurisë, apo edhe institucionet shëndetësore kujdesen për sigurinë dhe shëndetin e tyre, duke iu ofruar mbështetje dhe ndihmë të vazhdueshme.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur 607 afganë

Avioni i parë me shtetas afganë në Shqipëri mbërriti më 27 gusht dhe deri tani kanë mbërritur gjithsej 607 afganë, mes të cilëve aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë dhe studentë.

Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4.000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u konsideruar nga autoritetet si shenjë e solidaritetit, mikpritjes dhe bujarisë.

Strehimi i tyre vjen pas kërkesës nga qeveria amerikane ndaj Shqipërisë që të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, që destinacion të fundit kanë SHBA-në.

Kategoritë
LajmeRajoni