Jo më teste falas për Covid për personat e pavaksinuar në Gjermani

Berlini zgjedh një qasje të ashpër ndaj atyre të cilët refuzojnë të vaksinohen kundër Covid, duke ndërprerë në këtë mënyrë dhënien e testeve falas. Sipas gjermanes Bild, kjo do të ndodhë në momentin që të gjithë do të kenë mundësi të vaksinohen me dozën e dytë, pra në fund të muajit shtator ose në fillim të muajit tetor.

Një vendim i tillë synon të rrisë ritmin e vaksinimeve. Që nga muaji mars qytetarët gjermanë dhe ata që jetojnë në Gjermani mund të kryejnë teste të shpejta për koronavirusin në farmacitë dhe qendrat e caktuara në të gjithë vendin.

Testimet nga ana tjetër, janë një pjesë e rëndësishme e strategjisë për rihapjen e Gjermanisë. Ata që nuk mund të dëshmojnë se kanë marrë të dy dozat e vaksinës, apo që janë shëruar nga covid, duhet të kenë një test negativ, për disa aktivitete. Përfshirë këtu të darkosh në një restorant apo qëndrimin në hotel.

Më shumë se 61 për qind e popullsisë gjermane ka marrë të paktën një dozë vaksine dhe 52 për qind janë të vaksinuar me  të dy dozat kundër Covid.

Berlini pritet që shumë shpejt të miratojë rekomandimin për vaksinimin e të rinjve nga mosha 12 deri në 17 vjeç.Por dhe një dozë të tretë vaksine, duke filluar nga muaji shtator, për kategorinë e personave që konsiderohen në rrezik.

Agjencia europiane për mjekimet miratoi vaksinën e BioNTech-Pfizer për grupmoshat nga 12 deri në 15 vjeç në muajin maj, dhe në korrik atë të Moderna.

Gjithsesi komisioni gjerman për vaksinat rekomandoi deri tani vaksinën vetëm për të rinjtë nën 18 vjeç që konsiderohen  të rrezikuar, duke cituar mungesën e të dhënave për sigurinë e vaksinave për këtë grupmoshë.

Kategoritë
BotaLajme