Johnson: Kontributi më i rëndësishëm aktual i Turqisë (për Ukrainën) janë dronët TB2

Në një konferencë për shtyp pas takimeve të NATO-s dhe G7-tës në Bruksel, Johnson tha se trupat britanike do të shtohen si në Poloni ashtu edhe në Estoni, si dhe do të vendosen trupa të reja në Bullgari.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se një nga kontributet më të rëndësishme të Turqisë (në mbështetje për Ukrainën) është droni TB2 (Bayraktar), për të cilin theksoi se është “shumë i vlefshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).

Johnson mbajti një konferencë për shtyp pas takimeve të NATO-s dhe G7-tës në Bruksel.

Ai deklaroi se Britania do të punojë me aleatët me të njëjtin mendim për të rritur ndihmën me armë për Ukrainën.

“Sot njoftova se Britania do të dërgojë 6.000 raketa të tjera (në Ukrainë) dhe më shumë se do të dyfishojë ndihmën me armë vdekjeprurëse që e kemi siguruar deri më tani, duke siguruar një fond prej 25 milionë funtash për Forcat e Armatosura të Ukrainës”, tha Johnson.

Johnson ndau gjithashtu informacionin se trupat britanike do të shtohen si në Poloni ashtu edhe në Estoni, si dhe do të vendosen trupa të reja në Bullgari.

Johnson u kthye pas përfundimit të konferencës për shtyp, duke thënë se donte t’i përgjigjej pyetjes së një anëtari tjetër të shtypit dhe se këtë person e mban mend nga vitet e tij si gazetar.

“Ju u takuat me (presidentin Recep Tayyip) Erdoğan. Turqia dhe Britania janë miq të ngushtë të Ukrainës. Ju na thatë se mund ta furnizoni Ukrainën me më shumë armë, por nuk e përmendët mbrojtjen ajrore. Cilat janë armët? Çfarë duhet për Ukrainën?”, pyeti gazetari, me çka kryeministri britanik u përgjigj:

“Një nga kontributet më të rëndësishme që Turqia po jep aktualisht (në mbështetje të Ukrainës) janë TB2 (Bayraktar), të cilët mendoj se janë shumë të vlefshëm. Ajo që ka dhënë Britania jam i sigurt që e keni parë, ne po e ndihmojmë Ukrainën me mbrojtjen tonë ajrore dhe se si t’i përdorin ato. Mendoj se kjo ka logjikë të plotë, por në të vërtetë nuk mendoj se duhet të shkoj përtej asaj që po them”.

Kategoritë
BotaLajme