Kadri Veseli largohet nga shtëpia e tij nën përcjelljen e forcave të shumta të EULEX-it

Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është larguar nga shtëpia e tij në Bajr të Mitrovicës nën përcjelljen e forcave të shumta të EULEX-it, raporton T7, transmeton Gazeta Express.

Nga pamjet shihen vetura të shumta të policisë së EULEX që e përcjellin Veselin nga shtëpia.

Kadri Veseli ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij në Mitrovicë për vizitë familjes pas vdekjes së babait të tij të mërkurën.

Në një përgjigje nga Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se përshkak të arsyeve humanitare që lidhen me vdekjen e babait të tij, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka lejuar vizitën e Veselit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e ka udhëzuar Regjistrin që të mundësojë një vizitë nën kujdestari në Kosovë për z.Veseli për të mbajtur zi me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në ndalim paragjyqësor dhe në ndalim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke i përkrahur Dhomat e Specializuara të Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, po qëndrojnë në qytetin e Mitrovicës për të shprehur ngushëllime në familjen e Kadri Veselit.

Ata janë parë nën shoqërimin e kreut të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi po qëndrojnë në Mitrovicë në ditën që aty gjendet edhe ish-kreu i PDK’së, Kadri Veseli.

Vetë Ahmeti për T7 ka deklaruar se s’ka pasur dijeni për ardhjen e Veselit nga Haga.

“Kam ardhur për ngushëllime tek një njeri i madh, nuk kam pasur dijeni se Kadri Veseli ka arritur në Kosovë”, ka thënë Ali Ahmeti.

Kategoritë
LajmeVendi