Kalın: Turqia do të japë përgjigje ndaj deklaratës së Bidenit për ngjarjet e vitit 1915

“Kur të jetë vendi dhe koha e duhur do të japim reagimin e nevojshëm ndaj kësaj deklarate fatkeqe dhe të padrejtë”, tha zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın njoftoi se Turqia në periudhën e ardhshme do të japë përgjigje në mënyra të ndryshme ndaj deklaratës ku presidenti i SHBA-së, Joe Biden ngjarjet e vitit 1915 i cilëson si “gjenocid”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për agjencinë amerikane të lajmeve Reuters, Kalın, lidhur me deklaratën e Bidenit tha se “Do të ketë reagime në nivele dhe në mënyra të ndryshme në ditët dhe muajt e ardhshëm”.

Duke mos dhënë detaje se çfarë hapash do të ndërmarrë Ankaraja për këtë çështje, Kalın tha se “Kur të jetë vendi dhe koha e duhur do të japim reagimin e nevojshëm ndaj kësaj deklarate fatkeqe dhe të padrejtë”.

Parlamenti i Turqisë të hënën do të japë një deklaratë lidhur me deklaratën e Bidenit, theksoi Kalın i cili shtoi se deklaratat e zyrtarëve amerikanë ndaj Turqisë, nuk do të përbëjnë bazë ligjore për proceset e mundshme ligjore për kompensim kundrejt Turqisë.

“Është e papranueshme që të gjitha përjetimet të zvogëlohen në një fjalë dhe të pranohen me një fjalë të vetme për të pretenduar se turqit, paraardhësit tanë, osmanët kanë kryer gjenocid”, tha Kalın.

Biden në një deklaratë më 24 prill i cili është përvjetori i ngjarjeve 1915 tha se “Çdo vit në këtë ditë kujtojmë të vdekurit që kanë humbur jetën në gjenocidin armen në periudhën Osmane dhe përsërisim angazhimin tonë që një persekutim i tillë të mos ndodhë më”.

Kategoritë
BotaLajme