Kancelari austriak në Prishtinë: Për Austrinë, Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike me rëndësi

Kryeministri Kurti tha se me kancelarin Nehammer kanë biseduar për situatën e re aktuale politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në pjesën e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, i cili po qëndron në Kosovë pas vizitave që zhvilloi në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se falënderoi kancelarin Nehammer për kontributin e Austrisë në luftën e Kosovës dhe në periudhën e shtet-ndërtimit, teksa tha se bashkë biseduan për raportet midis të dyja vendeve dhe mundësive për thellimin e tyre.

Kurti tha se me kancelarin Nehammer kanë biseduar për situatën e re aktuale politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në pjesën e Ballkanit Perëndimor.

“Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian të Bashkimit Evropian (BE), sepse, ky është një vendim i vonuar i cili po i dëmton jo vetëm qytetarët por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se në vitin 2021 ka pasur rritje prej 17,8 për qind të investimeve të huaja të drejtpërdrejta nga Austria, krahasuar me vitin 2019, ndërsa që nga shpallja e pavarësisë investimet e huaja të drejtpërdrejta nga Austria kapin vlerën prej 287 milionë eurove. Prandaj, Kurti tha se ka shprehur bashkëpunimin e mëtejmë ekonomik midis të dyja vendeve.

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha se Austria qëndron pranë Kosovës që nga fillimi ndërsa një numër i madh i kosovarëve jetojnë në Austri të cilët ndërkohë janë bërë shtetas austriak “por, përkundër kësaj, në zemrat e tyre janë ende kosovarë”.

“Është e rëndësishme që Austria të jetë edhe më tej urë lidhëse e Kosovës për në BE. Ne kemi zhvilluar biseda të mira se si mund ta përshpejtojmë procesin prandaj do të jetë e rëndësishme që ne edhe Republikën Federale të Gjermanisë ta përfshijmë në rend të parë sepse edhe ata janë miq të Kosovës, që ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE dhe besoj se së bashku do t’ia dalim sepse për Austrinë, Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike me rëndësi”, theksoi Nehammer.

Kancelari austriak tutje tha se pandemia, pastaj lufta në Ukrainë, kanë vështirësuar situatën në Evropë, ndërsa për këtë arsye shtetet evropiane duhet të qëndrojnë së bashku për zgjidhjen e të gjitha probleme.

Kancelari Nehammer do të takohet sot edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa para vizitës në Kosovë ai ka qëndruar edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Kategoritë
LajmeVendi