Kandidati i PDK-së në Dragash që humbi pas numërimit të votave të diasporës do të ankohet në PZAP

Votat e diasporës të cilat kanë filluar të numërohen pasditen e së martës, kanë përmbysur rezultatin në komunën e Dragashit ku po printe Partia Demokratike e Kosovës me 50,21 për qind të votave.

Ky rezultat ndryshoi pasi votuesit nga diaspora e votuan kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini.

Kandidati për kryetar të Dragashit nga radhët e PDK-së, Shaban Shabani të mërkurën në emisionin “Frontal” ka deklaruar se votat janë të manipuluara.

Këto konstatime sipas tij vijnë, nga vëzhguesit e PDK-së në terren.

“Dje u bë numërimi, për fat të keq nga vëzhguesit që ka pas PDK është konstatuar që ka dyshime rreth votave me postë. Ato vota janë ta manipuluara, pasi janë të plotësuara nga një person, është një shkrim, pra vota e ndikume nga të tjerët”, tha ai.

Shabani njoftoi se për këtë kanë përgatitur ankesë që do e dërgojnë në PZAP.

“Do bëjmë ankesë në PZAP, nëse kjo nuk e merr parasysh do e dërgojmë në supreme Përderisa janë plotësu nga i njëjti person, i bie që vota është e ndikuar. Na kërkojmë nga institucionet përkatëse ta hetojnë këtë rast”, ka thënë Shabani.

Por a dyshon kjo parti në Lidhjen Demokratike të Kosovës për këtë përmbysje?

“Jemi në atë fazën e pretendimeve, meqënëse LDK përmbysi rezultatin, kalojmë në atë nivel që besojmë se LDK është ajo që njëfarë forme është përfituese në këtë nivel. 244 vota nga diaspora janë për LDK-në, përgjithësisht vinë nga zarfet e shkruara nga i njëjti person”, ka shtuar Shabani.

Nga numërimi i së martës i votave me postë, PDK arriti ti sigurojē vetëm 54 vota.

Kategoritë
LajmeVendi