Kandiq i reagon presidentit çek për kërkimfaljen

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq ka bërë një reagim pasi presidenti i Çekisë i ka kërkuar falje Vuçiqit para disa ditësh për pjesëmarrjen e Çekisë në kuadër të bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Kandiq ka shkruar në Twitter se presidenti çek akoma nuk ka dëgjuar që ushtria dhe policia serbe pa mëshirë ka vrarë mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë.

“Presidenti çek kërkoi falje për bombardimin e Ish-Jugosllavisë dhe “ka zgjidhur traumën e tij shumë vjeçare” duke kërkuar falje. Disa vite kanë kaluar dhe ai akoma s’ka dëgjuar që ushtria dhe policia e pamëshirshme e Serbisë ka vrarë mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë”, ka shkruar Kandiq.

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman ka kërkuar falje për përfshirjen e vendit të tij në sulmet ajrore të NATO-s gjatë luftës së Kosovës 1999. “Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të kërkuar falje për bombardimin e ish-Jugosllavisë,” tha Zemani të martën gjatë një vizite zyrtare të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Pragë.

Zeman, i cili shërbeu si kryeministër midis viteve 1998 dhe 2002 para se të merrte detyrën e presidentit në vitin 2013, tha se vendi i tij ishte “i fundit” në kuadër të NATO-s që dha miratimin për fushatën.

Kategoritë
BotaLajme