Kapet dhe arrestohet diplomati amerikan duke shitur pasaportë false për 10 mijë dollarë në Turqi

Një diplomat amerikan i akredituar në Liban, u arrestua në Turqi me dyshimin se i kishte shitur një shtetasi sirian një pasaportë false për 10 mijë dollarë, njoftoi sot policia turke

Një diplomat amerikan i akredituar në Liban, u arrestua në Turqi me dyshimin se i kishte shitur një shtetasi sirian një pasaportë false për 10 mijë dollarë, njoftoi sot policia turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Arrestimi u bë pas një incidenti të 11 nëntorit në aeroportin e Stambollit, kur shtetasi sirian u përpoq të përdorte pasaportën e një personi tjetër për të udhëtuar në Gjermani, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Policisë së Stambollit.

Ajo pasaportë i përkiste diplomatit të paraburgosur, i cili punon në Konsullatën e SHBA në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, thekson deklarata.

Në deklaratë shtohet se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se dy të dyshuarit janë takuar në aeroport dhe kanë ndërruar rrobat atje dhe se diplomati amerikan i ka dhënë sirianit pasaportën në fjalë.

Gjatë kontrollit trupor të diplomatit u gjetën 10 mijë dollarë në një zarf dhe një pasaportë në emrin e tij, thuhet në deklaratë.

Shtetasi sirian përballet me akuzat për falsifikim, por u lirua në pritje të gjyqit, ndërsa diplomati amerikan u dërgua në paraburgim.

Diplomatët e huaj zakonisht kanë imunitet nga ndjekja penale, por ata i nënshtrohen ndjekjes penale dhe ndëshkimit në vendet ku nuk janë të akredituar. Ky parim pritet të zbatohet për diplomatin amerikan në paraburgim, i cili ishte i akredituar në Liban, jo në Turqi.

Kategoritë
BotaLajme