Kë e takoi Ministri turk i Mbrojtjes në Bosnje para se të vijë sot në Kosovë

Para se të mbërrijë sot në Kosovë, Ministri i Mbrojtjës së Turqisë, të hënën u takua me anëtarët e Këshillit Presidencial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Si pjesë e vizitës së tij zyrtare në Sarajevë, Hulusi Akar, u takua me Zheljko Komsiq, anëtar kroat dhe kryetar aktual i Presidencës së Boshnjë-Hercegovinës, së bashku me anëtarin serb Milorad Dodik dhe anëtarin boshnjak Sefik Dzaferoviq.

Gjatë takimit, Akar theksoi rëndësinë që Turqia i kushton stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, duke thënë se detyra e shtetit turk është të vazhdojë të gjitha llojet e bashkëpunimit, përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë.

Akar shtoi se Turqia i ka ofruar të gjitha llojet e mbështetjes Bosnje-Hercegovinës, duke nënvizuar vendosmërinë e saj për të mbështetur paqen dhe prosperitetin që populli i Bosnje-Hercegovinës meriton në të ardhmen.

Akar më vonë vizitoi ambasadën turke në Sarajevë dhe mësoi për aktivitetet e misionit diplomatik.

Ndërkohë, Akar do të vijë sot në Kosovë ku do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, i cili do ta presë me ceremoni ushtarake.

Ai gjatë ditës do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Kategoritë
BotaLajme