KEDS siguron se do të ketë dimër më stabil sa i përket sistemit elektro-energjetik

Konsumi i energjisë elektrike me uljen e temperaturave është rritur. Kjo shpesh herë edhe ka shkaktuar probleme me furnizim të qëndrueshëm të rrymë, për shkak të kapaciteve të pamjaftueshme energjetike në Kosovë. Megjithatë, nga KEDS thonë se janë ndërmarrë masa për furnizim të qëndrueshëm. Sipas tyre, një pjesë e konsiderueshme e tensionit të mesëm do të futet nën tokë, ku do të largohen qindra shtylla dhe do të mundësohet dyfishimi i kapaciteteve furnizuese.

Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani thekson se KEDS dhe KESCO kanë marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar furnizim me energji elektrike gjatë sezonit dimëror.

Ramadani: Masat e ndërmarra do të mundësojnë furnizim të qëndrueshëm

“KEDS ka mundësuar që të siguroj importin, për të plotësuar zbrazëtirën në mes prodhimit dhe konsumit, në këtë rast konsumatorëve tanë. Jemi në një kohë pandemie, që padyshim se ka rritur edhe kërkesat nga ana e qytetarëve për energji elektrike, por konsiderojmë që masat e ndërmarra nga ana jonë pa dyshim që do të mundësojnë një furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerë për konsumatorët tanë gjatë kësaj sezone”, thekson ai.

E drejtori i Sistemit të Operimit, Bujar Jupaj thotë për KosovaPress, se KEDS po vazhdon të punojë në mirëmbajtjen e linjave, duke punuar me të gjitha kapacitetet të cilat i posedon. Ai thekson se investimet për këtë vit janë me dhjetëra miliona, por që në fund të vitit do të dihet se sa ka qenë shuma e saktë.

Jupaj: Bazuar në planifikimet që kemi bërë, do të kemi një dimër stabil

“Duke u bazuar në planet të cilat i posedojmë, planet për planifikim të mirëmbajtjes së linjave dhe investimeve, dhe duke u bazuar në atë se çka është finalizuar deri më tani, dhe ato të cilat janë në proces të finalizimit, ne mendojmë se do të kemi një dimër shumë më stabil, sa i përket sistemit elektro-energjetik. Prandaj, duke u bazuar që këtë vit ne edhe sipas planeve tona do të përfundojë, kjo e cila do të na ndihmojë në një operim shumë më të lehtë, më të sigurt dhe më stabil në të gjitha stacionet”, thekson ai.

Sipas tij, aplikacioni “Kosovanet”, po ndihmon në monitorimin në kohë reale sa i përket ndërprerjes me energji elektrike. Ndër tjera, ai thotë se konsumatorët kanë qenë të njoftuar sa i përket ndërprerjes me furnizim me energji elektrike në Prishtinë. E që ditëve të fundit ka pasur shumë raste në shumë lagje të Kosovës.

Jupaj: Nuk ka qenë në asetet tona

“Ajo nuk ka qenë në asetet tona, ka qenë në asetet e KOST-it. Me një angazhim maksimal nga ekipet e KOST-it dhe KEDS-it, ne kemi arritur në kohë reale të mundshme të përfundojmë. Duke marrë parasysh që një problem apo defekt i tillë merr kohë dhe afekton një numër të madh të konsumatorëve”, shton ai.

Ndërkohë, që Adlum Ramadani thekson se janë duke u bërë shumë punime në rrjetin energjetik, e që sipas tij, do të mundësojë në dyfishim të kapaciteteve furnizuese.

Ramadani: Një pjesë e konsiderueshme e tensionit të mesëm do të futet nën tokë

“Ky vit është i Prishtinës sa i përket investimeve, sepse në kryeqytet tashmë po investohen 17 milionë euro në rrjetin energjetik, i cili do të mundësojë dyfishim të kapaciteteve furnizuese. Një pjesë e konsiderueshme e tensionit të mesëm do të futet nën tokë, do të largohen qindra shtylla dhe gjithashtu do të mundësohen krijimi i linjave alternative. Nënkupton që në rast avarie në rrjet furnizimi, automatikisht do të kalojë në burimin dytësor, në mënyrë që konsumatorët tanë të përjetojnë sa më pak ndërprerjen e energjisë elektrike”, tregon ai për KosovaPress.

Investime të tilla, Ramadani tha se ka pasur në Pejë, Podujevë, e Gjakovë. Ai njofton se ky projekt në Prishtinë pritet të përfundojë në pranverën e vonshme, i cili do të mundësojë furnizim të qëndrueshëm dhe pandërprerë.

Kategoritë
LajmeVendi