Kërkohen patrullime shtesë të policisë: Banorët e Karaçevës thonë se xhandarët serbë po futen me rroba civile

Frika se xhandarët serbë mund ta kalojnë sërish kufirin është ende prezente tek banorët e Karaçevës.

22 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, banorët e fshatit Karaçevë po vazhdojnë të rrezikohen nga xhandarmëria serbe. Madje, ata thonë se nuk gjejnë qetësi dhe ballafaqohen edhe me probleme rreth mbrojtjes së tokave të tyre.

Banorët e kësaj ane kanë bërë vazhdimisht thirrje tek kryeministri dhe presidenti që të jenë më sy çelë, dhe të bëjnë presion në Bruksel që Beogradi t’i ndal veprimet destruktive që atyre jo rrallë herë u kanë shkaktuar frikë e panik.

Kryetari i Bashkësisë Lokale dhe përfaqësues i banorëve të Karaçevës, Selver Lenjani, ka thënë për lajmi.net se kohëve të fundit nuk ka pasur lëvizje të xhandarëve serbë brenda fshatit, por se dyshimet janë se të njëjtit këtë po e bëjnë me rroba civile.

“Hyrja e trupave të xhandarmërisë serbe tash ka kaluar edhe në pjesën civile. Pra kemi edhe hyrje civile në atë pjesë, krejt kjo pasi që nuk kemi vazhdimisht zyrtarë policor në këtë rrugën kryesore të fshatit. Për ta vërtetuar të gjithë këtë fakt duhet të pyesim Policinë dhe ministrin, nëse rastësisht ka policë të ndodhur në rrugën kryesore deri tek hyrja në Karaçevë”, ka thënë ai.

“Për momentin nuk ka pasur, por hyrje të herë-pas-hershme të xhandarmërisë serbe në këtë zonë ka vazhdimisht që prej vitit 2001, do të thotë që 21 vite xhandarmëria serbe hynë brenda territorit të Karaçevës duke shkaktuar shqetësim”, ka thënë ai për lajmi.net.

Kujtojmë se në gusht të vitit të kaluar, xhandarët serbë ishin futur thellë në territorin e Karaçevës duke shkelur edhe në pronat dhe bizneset e shqiptarëve.

Pamje të tyre madje kishte publikuar një pronar i një lokali në atë pjesë, duke thënë se ata janë tmerruar nga prania e xhandarëve serbë atje.

Kategoritë
LajmeVendi