Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban mbledhje urgjente pas sulmit rus në centralin bërthamor në Ukrainë

Sipas burimeve diplomatike, takimi u kërkua nga Shqipëria, Britania e Madhe, SHBA, Franca, Irlanda dhe Norvegjia

Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të mbajë një mbledhje urgjente pas sulmit të Rusisë ndaj centralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve diplomatike, takimi u kërkua nga Shqipëria, Britania e Madhe, SHBA, Franca, Irlanda dhe Norvegjia.

Pas përleshjeve të mbrëmshme pranë qytetit të Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore, Rusia mori kontrollin e centralit më të madh bërthamor në Evropë, njoftuan autoritetet ukrainase.

Pas zhvillimeve, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike njoftoi se zjarri në central “nuk ka prekur pajisjet thelbësore”.

Zaporizhzhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë

Centrali bërthamor Zaporizhzhia i ndërtuar në vitet 1984-1995, njihet si centrali më i madh bërthamor në Evropë ndërsa i 9-ti në botë. Centrali posedon 6 reaktorë prej nga 950 megavatësh, me një prodhim total të energjisë elektrike prej 5.700 megavat, që mund të furnizojë me energji rreth 4 milionë familje.

Centrali bërthamor plotëson 20 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë, ndërkaq ka një përqindje prej 50 për qind në prodhimin e energjisë elektrike nga energjia bërthamore.

Zaporizhzhia ndodhet në skaj të lumit Dnieper, në juglindje të kryeqytetit Kiev, ndërsa në perëndim të Donbasit që është nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

Kategoritë
BotaLajme