Këshilltari i ish-presidentit tregon pse refuzuan Thaçi e Veseli të takohen me ministren Haxhiu

Këshilltari i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ka thënë se i gjithë procesi i gjykimeve në Dhomat e Specializuara kërkon vëmendje shumë më të madhe nga ana e institucioneve të Kosovës.

“I tërë procesi në Hagë është shumë i ndërlikuar dhe kërkon vëmendje shumë më të madhe dhe të përditshme edhe të institucioneve të shtetit të Kosovës, por edhe të medieve dhe shoqërisë. Vetë procesi që po zhvillohet në Hagë ka implikime të thella për tërë Kosovën, ambicien e Kosovës në të kaluarën për të ndërtuar shtet, luftën për liri dhe ambicien për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe për t’u bërë anëtar i organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë”.

“Kërkon vëmendje të përqendruar të të gjithë atyre që merren me të drejtat e njeriut, monitorimin e burgjeve, monitorimin e proceseve gjyqësore, e gjithë kjo jo për të ndikuar, por për t’u siguruar që ky proces është vetëm i drejtësisë dhe merret veç me drejtësinë dhe faktet dhe nuk do të ndikohet nga politika, propaganda apo kushdo tjetër jashtë procesit”.

“Kjo është vizita e dytë dhe nuk mjafton. Duhet çdo ditë dikush të merret në mënyrë serioze, sepse kjo s’ka lidhje më me parti politike apo disa individë, pasi është në pyetje e tërë aspirata e Kosovës për liri, pavarësi dhe përpjekja për të cenuar të drejtat. Kërkon vëmendje të vazhdueshme të të gjitha institucioneve, media, shoqëri civile, për të garantuar që vërtet do të ketë drejtësi dhe që nuk do të ndikohet nga politika”.Arifaj ka insistuar se duhet të ketë vëmendje më të madhe institucionale për proceset që po zhvillohen në Gjykatë Speciale për të siguruar që do të ketë drejtësi.

Ai ka folur edhe për vizitën e delegacionit të Ministrisë së Drejtësisë te ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke thënë se nuk e di arsyen pse ish-shefi i tij Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kanë refuzuar takimin me Albulena Haxhiun.

Megjithatë, Arifaj beson se ata e kanë pasur një arsye për këtë refuzim, që është i dyti nga Thaçi dhe Veseli karshi delegacionit të kësaj ministrie.

“Ta shohim në çfarë cilësie kanë kërkuar vizitat – a ka qenë vizitë zyrtare apo jo, por presim të na tregojnë. Le të na tregojnë dhe ta marrim vesh saktësisht. Vizitat ende janë të kufizuara dhe janë të përcaktuara qartë se çfarë lloj vizitash janë. Nuk jam i njoftuar që ka vizita zyrtare. Ta shohim a ka qenë vërtet zyrtare ose jo. Kanë arsye pse i kanë refuzuar, besoj që po”.

Arifaj ka deklaruar se shteti i Kosovës duhet të sigurojë një mekanizëm tjetër për të bashkëpunuar dhe komunikuar me Dhomat e Specializuara dhe jo, siç i quan ai, me vizita sporadike.

“Është gjykatë e Kosovës e formuar nga Kosova dhe i përgjigjet institucioneve të Kosovës. Duhet t’i përgjigjet institucioneve të Kosovës dhe t’i japë llogari qytetarëve të Kosovës. Duhet ndërtuar një mekanizëm shumë formal dhe të qëndrueshëm që çdo ditë do ta bëjë këtë dhe jo vetëm t’i takojë të akuzuarit, por të ketë monitorim të përhershëm të procesit thjesht për të garantuar drejtësinë dhe për t’u siguruar që s’do të ketë interferim të politikës”.

Kategoritë
LajmeVendi